Rutte paralajmëron: Evropa nuk mbrohet dot pa SHBA-në, kush mendon ndryshe po ëndërron
Dritare.net

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka hedhur poshtë thirrjet e disa politikanëve të rëndësishëm evropianë për krijimin e një ushtrie të veçantë evropiane, të ndarë nga aleanca e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara.
Duke folur para Parlamentit Evropian në Bruksel, Rutte u shpreh se ideja e një force ushtarake evropiane jashtë NATO-s është jorealiste dhe do të dobësonte sigurinë e kontinentit. Ai ironizoi mbështetësit e kësaj ideje duke u thënë të “vazhdojnë të ëndërrojnë”, ndërsa paralajmëroi se një zhvillim i tillë do të ishte në favor të presidentit rus Vladimir Putin.
Sipas Rutte-s, krijimi i një ushtrie evropiane të pavarur do të sillte mbivendosje kapacitetesh, do të komplikonte arkitekturën e sigurisë dhe do ta shtrinte në mënyrë të panevojshme forcën ushtarake të vendeve evropiane. “Putini do ta donte një gjë të tillë, sepse do t’i bënte ushtritë evropiane më të dobëta. Prandaj, mendohuni mirë”, theksoi ai.
Rutte nënvizoi se vendet evropiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre, siç ka kërkuar edhe presidenti amerikan Donald Trump, por brenda kornizës së aleancës transatlantike dhe jo jashtë saj. Ai shtoi se, pavarësisht pasigurive të krijuara nga debatet politike në SHBA, Uashingtoni mbetet i përkushtuar ndaj NATO-s.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares, dhe komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius, kanë ngritur publikisht mundësinë e krijimit të një force ushtarake evropiane.
Rutte paralajmëroi gjithashtu se nëse Evropa do të synonte realisht të mbrohej e vetme, kostot do të ishin shumë më të larta sesa 5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto, nivel që vendet e NATO-s kanë rënë dakord të shpenzojnë për mbrojtjen. Sipas tij, një skenar i tillë do të kërkonte edhe ndërtimin e kapaciteteve bërthamore, me kosto miliarda euro.
“Në atë rast, Evropa do të humbiste garantuesin përfundimtar të lirisë sonë, ombrellën bërthamore të SHBA-ve”, u shpreh Rutte, duke theksuar se siguria europiane mbetet e pandashme nga aleanca me Shtetet e Bashkuara./K.C/dritare.net