Unë, nxënësi i Kadaresë dhe Agollit! Gazetari Ahmet Shqarri rrëfen histori të padëgjuara
Dritare.net

Gazetari Ahmet Shqarri, i ftuar në emisionin “Dekalog” me Roland Qafokun në DritareTV, rrëfen kujtimet e tij si student i dy figurave të mëdha të letërsisë shqiptare, Ismail Kadaresë dhe Dritëro Agollit.
Ai kujton me nostalgji:
“Kam pasur pedagogë Dritëro Agollin dhe Ismail Kadarenë. Nuk mungova kurrë në mësimin e tyre. Ishte privilegj t’i kishim ata pedagogë. Nuk mungonte askush. Me Dritëroin, për shembull, ndodhte që e përcillnim deri në shtëpi bashkë me Fisnikësin, një shok dhe bashkëkohës imi në kurs. Bënim mësim pasdite në korpusin qendror të universitetit dhe pas orës së leksionit, rrinim me të, e përcillnim deri në shtëpi dhe ndaleshim nëpër klube. Ismaili kishte një tjetër atmosferë. Ishte më serioz. Vinte në klasë dhe shpesh dilnim edhe në fotografi.", tregon gazetari.
Ai kujton edhe marrëdhënien me pedagogët dhe shkrimet e tij të hershme:
“Dritëroi, për shembull, më lexonte edhe shkrimet në gazetë. Unë kisha filluar të shkruaja atëherë. Ai më ndihmonte dhe thoshte: "E kujtoj si një fener që ndriçon rrugën." Pata bërë një reportazh te gazeta Puna, për një grua që do lindte, e kishin prurë me mushkë deri në rrugë automobilistike për ta çuar në maternitet. Atë shkrim ma lexoi Dritëroi para klasës dhe më vinte në dukje një të ardhme si gazetar.”
Më tej, Ahmet Shqarri flet për Ismail Kadarenë:
“Ismail Kadare ishte më i mbyllur me ne, ama leksionet i përpinim. Fliste për Kafkën, për Proustin, për Frojdin. Ishin gjëra që i dëgjonim për herë të parë.", tregon gazetari në emisionin Dekalog në DritareTV./K.C/dritare.net