Si nisi përplasja në Kuvend? Ja çfarë ndodhi!
Dritare.net

Një propozim i kreut të grupit të PS, Taulant Balla për 1 minutë heshtje në nderim 35-vjetorit të masakrës së 2 prillit 1991, kur 4 të rinj u vranë në protestën e fundit kundër regjimit komunist, u bë shkak për një tjetër përplasje mes opozitës dhe mazhorancës në sallën e Kuvendit.

Demokratët e quajtën provokim kërkesën e Ballë, ndërsa sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka mori fjalën dhe lëshoi ‘lumë’ akuzash ndaj Ballës duke e cilësuar si të lidhur me krimin.
“Jeni bandë dhe keni vënë në krye të grupit një kryebandit”, tha Noka.
Gjuha e përdorur jo vetëm ndaj Ballës, por edhe vetë Niko Peleshit, bëri që ky i fundit t’i ndërpresë fjalën dhe t’i tërheqë vëmendjen për fjalor të papërshtatshëm dhe i kujtoi se në asnjë rast fjalën nuk mund ta marrë me dhunë.
“Nga ushtar i Ramës, je shndërruar në ushtar të Ravik Gurrës”, i tha Noka-Peleshit.
“Mund t’i bini foltores sa të doni, me dhunë nuk merret fjala. Mos ndërprisni punimet e Kuvendit”, tha Peleshi.

Deputetët e opozitës në grup bllokuan foltoren dhe nuk lejuan kolegët e mazhorancës që të mbanin fjalën. Bora Muzhaqi që po fliste nga vendi nuk u lejua nga deputetja demokrate Elda Hoti, e cila u filmua teksa i merrte kartën e deputetes.