
Qeveria ka emëruar Pranvera Skanën në detyrën e Zëvendësministres së Mbrojtjes, vendim i marrë nga Këshilli i Ministrave që hyn menjëherë në fuqi dhe do të publikohet në Fletoren Zyrtare. Në të njëjtin vendim, qeveria njofton edhe lirimin nga detyra të ish-zëvendësministrit Andrea Shllaku.

Skana ka qenë kandidate në listat e Partisë Socialiste për Lezhën në zgjedhjet e 2025-ës dhe vjen nga fusha e komunikimit dhe medias. Ajo ka lindur në Rrëshen, Mirditë, ku përfundoi arsimin parauniversitar, ndërsa studimet e larta i kreu në Universitetin e Tiranës në degën Gazetari dhe Komunikim.
Më pas, ajo specializohet në Londër, duke përfituar dy bursa për lidership akademik, përfundon masterin në University of Westminster dhe shërben si kërkuese shkencore në London School of Economics. Që nga viti 2014, mban titullin Doktor në Shkencat e Komunikimit.
Skana ka një karrierë aktive në media, duke trajtuar tema të tilla si emigracioni, politika britanike, çështjet sociale, barazia gjinore dhe ndikimi i rrjeteve sociale. Nga 2016 deri në 2019 ka shërbyer si diplomate në Ambasadën Shqiptare në Londër, ku ka promovuar Shqipërinë dhe ka organizuar aktivitete si “Një mik për Shqipërinë”.
Ajo ka kontribuar gjithashtu në krijimin e rrjeteve të grave dhe profesionistëve shqiptarë në Britani, duke forcuar lidhjet kulturore dhe diplomatike me komunitetin shqiptar jashtë vendit./K/C/dritare.net