Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Sot Kuvend! Pr.rezoluta për shpalljen e Iranit shtet terrorist! Ja çfarë ka vendosur të bëjë opozita!

Sot Kuvend! Pr.rezoluta për shpalljen e Iranit shtet terrorist! Ja

Sot në orën 10:00 Kuvendi do të zhvillojë një seancë plenare me qëllim miratimin e projektrezolutës për shpalljen e Iranit “shtet financues të terrorizmit”.


Në projektrezolutën e paralajmëruar më herët edhe nga kryeministri Rama, i kërkohet qeverisë shqiptare që menjëherë pas miratimit nga Kuvendi, ekzekutivi të shpallë organizata terroriste Hezbollahun dhe Pasdaranët.


Drafti dënon sulmet kibernetike të Iranit kundrejt institucioneve të Shqipërisë, ku i fundit ishte ndaj Kuvendit dhe u bën thirrje vendeve të tjera demokratike dhe organizatave ndërkombëtare që të shqyrtojnë masa të koordinuara kundër terrorizmit të sponsorizuar nga shtetet dhe të forcojnë bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër këtyre kërcënimeve.

Por ndërsa kjo rezolutë është cilësuar “nevojë urgjente” nga socialistët, demokratët kanë deklaruar se do ta bojkotojnë seancën.

“Kjo nuk është një seancë normale parlamentare, por një mbledhje e thirrur për axhendën personale të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit, pa asnjë rend dite të miratuar apo të shpallur zyrtarisht, si dhe në shkelje të procedurave minimale që garanton Rregullorja e Kuvendit”, është shprehur kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi.
Në vend të parlamentit, opozita ka zgjedhur të jetë sot në terren pranë qytetarëve për t’u mobilizuar për protestën e 22 marsit.

“Opozita refuzon të bëhet pjesë e kësaj fasade parlamentare nesër dhe zgjedh të jetë aty ku duhet të jetë çdo opozitë e përgjegjshme: pranë qytetarëve. Prioriteti ynë këtë javë mbetet takimi me qytetarët në të gjithë vendin dhe mobilizimi për protestën e 22 marsit”, shton ai më tej.
Qëndrimit të PD iu përgjigj kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla.

“Sipas tyre nevoja e menjëhershme e një qëndrimi të Shqipërisë përkrah SHBA ndaj veprimeve terroriste të Iranit, qenka një agjendë personale. Seriozisht e mendoni këtë, apo ta kuptojmë si një lapsus?! Sonte mund t’ju them se sqarimet se pse kjo Rezolutë është urgjente do t’i japim nesër në Konferencën e Kryetarëve dhe urojmë që deri nesër keni ende kohë të reflektoni”, tha ai.
Rendi i ditës parashikon vetëm miratim procesverbali dhe njoftime. Balla njoftoi se seanca do të paraprihet nga konferenca e kryetarëve, e cila duket të jetë thirrur pikërisht për ta përfshirë dhe këtë pikë në axhendë.

Rendi i ditës

Në mbështetje të nenit 7, pika 6, dhe nenit 27/1 të Rregullores së Kuvendit, bazuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit për periudhën 2 — 20 mars 2026, urdhëroj:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 17.3.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbaleve të seancave plenare të datave 5.3.2026 dhe 12.3.2026.

2. Njoftime.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.