Spartak Ngjela: Protesta e sotme organizohet nga Beogradi
Dritare.net

Avokati Spartak Ngjela tha se protesta e thirrur sot nga Sali Berisha nuk është një lëvizje e brendshme politike, por një përpjekje e nxitur nga Beogradi për të destabilizuar Shqipërinë. Deklaratat Ngjela i bëri gjatë një interviste për Dritare TV, ku dha një panoramë të prerë mbi situatën politike dhe gjeopolitike të vendit.
Sipas Ngjelës, retorika për destabilizim është një dëshirë e qarqeve antishqiptare, duke theksuar se Beogradi po kërkon të krijojë tensione në Tiranë në këtë fundvit.
“Këto protesta nuk organizohen për interesa politike të brendshme, por sepse ia kërkojnë”, u shpreh ai, duke nënvizuar se qëllimi është krijimi i kaosit, por pa asnjë shans për sukses.
Ngjela theksoi se Shqipëria gëzon stabilitet të plotë institucional dhe një mbrojtje të fortë ndërkombëtare falë aleancës strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n. Ai përmendi praninë ushtarake amerikane dhe investimet strategjike si garanci se çdo përpjekje për destabilizim është e destinuar të dështojë.
Duke folur për protestat e thirrura nga Sali Berisha, Ngjela i cilësoi ato si lëvizje të një pakice të izoluar politikisht dhe pa mbështetje reale popullore. Ai rikujtoi statusin “Non-Grata” të Berishës dhe theksoi se pushteti në demokraci merret vetëm përmes votës, jo përmes protestave që, sipas tij, nuk prodhojnë asnjë rezultat.
Një vëmendje të veçantë, avokati i kushtoi edhe Reformës në Drejtësi dhe SPAK-ut, të cilin e cilësoi si një investim të drejtpërdrejtë të SHBA-së dhe Bashkimit Europian për luftën kundër korrupsionit. Sipas tij, rëndësi nuk kanë individët, por struktura dhe mbështetja ndërkombëtare që garanton funksionimin e këtij institucioni.
Në përfundim, Ngjela u shpreh se e ardhmja e Shqipërisë është e lidhur pazgjidhshmërisht me Perëndimin dhe se çdo aktor politik që vepron kundër kësaj rruge mbetet i izoluar dhe pa ndikim real./l.F-dritare.net