Si t'i menaxhoj emocionet! Këshilla e psikologes!
Dritare.net

Përshëndetje Dritare.net dhe psikologe Enertila
Unë që ju shkruaj kam një nevojë të kuptoj se çfarë ndodh me mua. Më ndodh shpesh të stresohem dhe të mbushem me emocione që më pas më shpërthejnë në të qara. Dua t’i menaxhoj emocionet dhe nuk e kuptoj përse më ndodh. Të lutem më jepni një këshillë. Faleminderit!
Psikologe Enertila Bekteshi përgjigjet
Përshëndetje lexues të Dritare.net
E qara është një reagim natyror ndaj stresit, dhimbjes ose trishtimit. Njohja dhe kuptimi i momentit të të qarit është thelbësor për ta menaxhuar këtë gjendje. Nëse ndiheni të mbingarkuar nga emocionet dhe lotët nuk duket se ndalen, dijeni se nuk ka asgjë të keqe me ju. Të qash është normale, është pjesë e jetës. Të kuptuarit e shkaqeve është hapi i parë për t'u përballur me dhimbjen që ato shkaktojnë. Lotët mund të fshehin stresin, ankthin, depresionin dhe probleme të tjera me trauma. Të qarit nuk është vetëm normale, por mund të jetë edhe e dobishme. Përmes të qarit, truri dhe trupi përpiqen të rivendosin ekuilibrin emocional dhe fiziologjik.
Nëse ndodh që të ndiheni më mirë pasi të keni qarë, kjo ndodh sepse trupi juaj po punon për t'ju mbrojtur nga stresi i tepërt. Përballimi i një krize të qarë mund të jetë shumë i vështirë. Gjatë këtyre momenteve, mund të ndiheni të hutuar, të lodhur dhe të çorientuar.
E dashur lexuesja jonë në këndvështrimin tim në ato momente për t’ju ndihmuar do t’ju sugjeroja frymëmarrje të thellë. Përqendrimi në frymëmarrje mund të ndihmojë në qetësimin e sistemit nervor. Mundohuni të thithni ngadalë me hundë duke numëruar deri në katër dhe pastaj të nxirrni frymën nga goja duke numëruar deri në gjashtë. Kthejeni vëmendjen tuaj përsëri te frymëmarrja sa herë që mendja juaj mbushet me mendime. Ndonjëherë, zhytja në një aktivitet të thjeshtë dhe përsëritës mund të ndihmojë në ndërprerjen e ciklit të mendimeve negative. Mund të provoni të ngjyrosni, të gatuani, të ecni ose të dëgjoni muzikë relaksuese.
E dashur lexuesja jonë kërko mbështetje, të flasësh me dikë të cilit i beson mund të bëjë gjithë ndryshimin. Nuk ke nevojë të futesh në detaje ndonjëherë, mjafton vetëm të dish që dikush është aty për ty. Vendosja e emocioneve tuaja në letër mund t'ju ndihmojë t'i përpunoni ato. Pas një shpërthimi intensiv emocional, trupi ka nevojë të rimbush energjitë. Jepini vetes një pushim, shtrihuni në një mjedis të qetë, mbyllni sytë dhe merrni frymë thellë. Edhe vetëm dhjetë minuta relaksim mund të bëjnë diferencën. Ecja jashtë mund të shpërqendrojnë mendjen tuaj dhe të nxisin relaksimin.
E dashur lexuesja jonë nëse periudhat tuaja të qarjes bëhen të shpeshta, të përsëritura ose intensive, mos hezitoni të kontaktoni një profesionist të shëndetit mendor. Shpresoj shumë që këndvështrimi im t’ju ndihmojë sadopak në gjendjen tuaj. Gjithë të mirat/dritare.net!