Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Të pavërtetat mbi gjuhën shqipe mund të hapin plagë të mbyllura. Flet studiuesja Shefkie Islamaj!

Të pavërtetat mbi gjuhën shqipe mund të hapin plagë

Studiuesja e gjuhës shqipe Shefkije Islamaj e ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga në DritareTV foli për debatet që bëhen nëpër televizione për gjuhën shqipe. Gjuhëtarja tha se, nuk është e dobishme për gjuhën që të hapin plagë për çështje që janë të mbyllura. Çdo plagë që çelet në themelin e gjuhës standarde thotë zonja Islamaj, është e padobishme dhe vjedhje kohe për shqiptarët.


“Ne në Kosovë kemi ndjeshmëri të madhe për gjuhën. Sidomos kur bëhet fjalë për gjuhën në televizione, në mjetet e informimit dhe digjitale, kemi ndjeshmëri dhe shqetësime. Mendoj se në këto shqetësime dhe reagime duhet të jemi gjithmonë bashkë. Reagimet për çështjet madhorë të kombit shqiptar duhet të jenë të përbashkëta Tiranë, Prishtinë, Shkup dhe tutje. Televizionet janë shumica private dhe kanë interesat e veta kur thërrasin në studio mysafirët që ata pëlqejnë duke ndjekur dhe interesin e tyre që të kenë sa më shumë shikueshmëri me ato tema apo debate që shpeshherë nuk shkojnë për mirë të gjuhës dhe kulturës shqiptare. Mund të jenë edhe mysafirë që mund të çelin plagë për shumë çështje që janë të mbyllura. Shqiptarët e kanë kuptuar se gjuha standarde shqipe është e patjetërsueshme. Çdo plagë që çelet në themelin e gjuhës standarde e konsideroj të padobishme dhe vjedhje kohe për shqiptarët në një periudhë shumë dinamike të zhvillimit të gjuhës dhe njerëzit, mjetet e informimit duhet ta vendosin vëmendjen në çështje që na interesojnë, që na përparojnë, pasurojnë në mënyrë të qytetëruar në këtë fillim shekulli të 21-të.”, tha studiuesja në DritareTV./K.C/dritare.net