Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Tirana është kjo?!

Tirana është kjo?!

Del nga shtëpia dhe në ashensor takon një grua që të përshëndet: “Mirëmbrëma”, në një shqipe të fortë, që të qesh po fort. Është afroamerikane. Një moment i vogël që të bën të kuptosh se pallati yt ka ndryshuar.

Në rrugë, para një restoranti, një djalë indian pi cigare. I qetë, si të ishte në qytetin e tij. Më tej, dy dado filipineze nxitojnë drejt liqenit. Flasin shpejt mes tyre, ndërsa mbajnë nga një fëmijë për dore. Pak më tutje ne tapetin e liqenit një tjetër zonjë filipineze shoqëron një zotëri të moshuar.

Parukieria ku shkoj punëson një turk. Vajza që bën thonjtë është gruaja e tij, edhe ajo turke. Në një cep tjetër të rrugës dëgjon një bisedë anglisht. Në trotuar kalon një burrë që të lë rrugën dhe thotë me mirësjellje: “Prego, signorina.”

Dhe mendon: kur ndodhi kjo?

Tirana që dikur ishte një kryeqytet i vogël që iu vinte nofka të ardhurve, sot është bërë një vend shumëgjuhësh. Një qytet ku jetojnë njerëz nga shumë vende, ku punojnë, rrisin fëmijët, hapin biznese, ndërtojnë një jetë.

Pa bërtitur, Tirana është bërë një qytet ndërkombëtar.

Ne shpesh ankohemi për trotuaret, për betonin, për komshiun që parkon keq, për zhurmën, për rrëmujën e përditshme. Por ndërkohë qyteti ka ndryshuar në një mënyrë tjetër: është hapur. Është bërë një vend ku vijnë njerëz nga larg për të jetuar.

Dhe ndoshta është koha që edhe ne ta shohim kështu.

Sepse Tirana sot nuk është vetëm qyteti ynë.
Është një qytet i botës./dritare.net