Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Thethi që nuk njihni!

Thethi që nuk njihni!

Në zemër të Alpeve Shqiptare, aty ku ajri i pastër gërshetohet me historinë shekullore, një trashëgimi që flet për forcën e rrënjëve dhe vizionin e së ardhmes.

Shikoni bukuritë e Thethit në kanalin tonë në YouTube! Klikoni linkun

Thethi sot nuk është më ai i dikurshmi, ku vizitorët vinin vetëm për natyrën e egër dhe petullat tradicionale. Falë investimeve infrastrukturore, si rruga e re që e ka afruar Thethin vetëm pak orë larg Shkodrës, dhe iniciativave private si ndërtimi i 'zipline'-it më të madh në Ballkan, zona ka përjetuar një rilindje të vërtetë.

Por, ajo që mbetet e pandryshuar është shpirti i mikpritjes. "Shtëpia e Shqiptarit është e Zotit dhe e Mikut".

Fatmir Berisha vendosi të investojë në tokat e të parëve, duke kthyer shtëpinë e vjetër në bujtinë dhe duke ndërtuar më pas hotelin "Alpet", një ndërthurje mes komoditetit modern dhe arkitekturës tradicionale.

Ai përshkruan një shoqëri të lidhur ngushtë, ku banorët nuk janë thjesht fqinjë, por një familje e madhe që ndan gëzimet dhe hallet. Kjo harmoni reflektohet edhe në sigurinë absolute që ofron zona për turistët, të cilët mund të eksplorojnë shtigjet malore pa asnjë frikë, të udhëhequr nga mikpritja vendase.

Sipërmarrësi nga Thethi, Fatmir Berisha, kujtoi me nostalgji kohën kur ishte vetëm 20 vjeç dhe kur Rudina Xhunga vizitonte Thethin për të realizuar emisione. Ai mbante mend çdo detaj, sepse atëherë banorët nuk ishin mësuar të shikonin gazetarë në Theth dhe çdo vizitë ishte një ngjarje e veçantë. Fatmiri tregonte se ishte pikërisht prezenca dhe puna e Rudinës ajo që ndihmoi në përhapjen e bukurive të Thethit, duke e bërë vendin e tij të njohur dhe duke ndezur turizmin në Theth.

Thethi është prova e gjallë se Shqipëria ofron mundësi të pafundme për ata që kanë guximin të punojnë dhe të ëndërrojnë në vendin e tyre. Historia e tij është një thirrje për të gjithë ata që e shohin të ardhmen jashtë, duke u kujtuar se "gurët e rëndë peshojnë në vendin e vet"./E.P-dritare.net