
Unë komunist, babai i burgosur politik. Pse nuk e takova pasi doli nga burgu!
Dritare.net
Abaz Hoxha, sot 93 vjeç tregon për gazetaren Rudina Xhunga në emisionin Shqip në DritareTv se si pas luftës nacionalçlirimtare babai i tij u arrestua, fillimisht u dënua më vdekje, po pastaj në burgim të përjetshëm dhe në fund kreu vetëm 18 vjet burg. I ati i kaloi në burg 18 vjet, ndërsa zoti Hoxha ishte i pari nga djemtë që i shkroi letra dhe vizitoi babanë në burg, edhe pse atëherë nuk lejohej të takoje të burgosur politikë.
"Unë u bëra partizan pavarësisht se babanë e arrestuan sepse ne në Tragjas u ushqyem me ndjenja patriotike. Unë kam qenë tolerant në këtë drejtim. I shkruaja letra babait që ishte në burg, madje edhe e takoja edhe pse atëherë nuk lejohej të flisje për ta, jo më të shkruaje letra apo t’i vizitoje në burg. Por më lanë ta takoj babanë në burg. Pasi doli nga burgu nuk e takova më babanë. Nuk mund ta takoja, unë isha komunist, ai i burgosur politik. Nëse e takoja më përjashtonin nga partia.", tregon zoti Hoxha për gazetaren Rudina Xhunga./K.C/dritare.net

















