Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Votë vendimtare në Itali, referendumi për drejtësinë test për Giorgia Melonin

Votë vendimtare në Itali, referendumi për drejtësinë

Italia po mbyll procesin e votimit për referendumin kushtetues mbi reformën në drejtësi, një konsultim që po ndiqet me vëmendje të lartë politike për shkak të peshës që mund të ketë mbi sistemin gjyqësor dhe mbi vetë mazhorancën qeverisëse. Sipas të dhënave të publikuara deri në orën 23:00 të së dielës, pjesëmarrja në votime ka arritur në 46.07 për qind, një nivel i konsideruar rekord për këtë lloj referendumi.

Qytetarët italianë po votojnë për referendumin konfirmues të ligjit kushtetues me titull “Norma në fushën e rendit gjyqësor dhe të krijimit të Gjykatës Disiplinore”. Bëhet fjalë për reformën e promovuar nga qeveria e Giorgia Melonit dhe nga ministri i Drejtësisë, Carlo Nordio, e cila synon të ndryshojë disa pika kyçe të organizimit të drejtësisë në Itali.

Në thelb, reforma parashikon ndarjen e karrierave mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, krijimin e dy organeve të ndara të vetëqeverisjes për këto dy kategori dhe ngritjen e një Gjykate të Lartë disiplinore për magjistratët. Këto janë edhe shtyllat kryesore që e kanë bërë këtë referendum një test të madh politik dhe institucional në vend.

Rëndësia e pjesëmarrjes lidhet me faktin se ky është një referendum konfirmues, ku nuk kërkohet prag minimal pjesëmarrjeje. Megjithatë, sa më i lartë të jetë numri i votuesve, aq më e fortë do të konsiderohet pesha politike e rezultatit final, qoftë në rast fitoreje të “Po”-së, qoftë të “Jo”-së. Vetë të dhënat e deritanishme tregojnë një mobilizim më të lartë sesa në referendumin kushtetues të vitit 2020, kur në të njëjtin orar pjesëmarrja ishte dukshëm më e ulët.

Në këtë klimë, kryeministrja Giorgia Meloni është përfshirë drejtpërdrejt në ditën e votimit, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë. Sipas raportimeve, Meloni ka deklaruar publikisht se pjesëmarrja është e rëndësishme, duke kujtuar se votimi vijon deri në orën 15:00 të së hënës. Qëndrimi i saj e konfirmon se ky referendum shihet edhe si një provë force për qeverinë që ka mbështetur reformën.

Në total, të drejtë vote kanë mbi 51.4 milionë qytetarë italianë, përfshirë më shumë se 5.4 milionë votues jashtë vendit. Pas mbylljes së qendrave të votimit, vëmendja do të përqendrohet te numërimi i votave dhe te mesazhi politik që do të japë rezultati i këtij referendumi për të ardhmen e reformës në drejtësi dhe për ekuilibrat politikë në Itali./L.F-dritare.net