Protesta/ Përplasje te Kuvendi, sulme me vezë ndaj deputetëve të PS!
Dritare.net

Tensione në protestën para Kuvendit. Përplasjet nisën pa filluar ende seanca plenare, ndërsa deputetët po mbërrinin në Parlament. Një pjesë e ligjvënësve socialistë ishin futur në sallë më herët, por kalimi i disa deputetëve të tjerë bëri që qytetarët të nisin sulmet me vezë. 5 protestues kishin arritur të kalojnë kordonin e sigurisë dhe nisën të sulmojnë deputetët e PS, çka bëri që policia të ndërhyrje menjëherë për shoqërimin e tyre. Mes të ndaluarve është edhe Gent Progni.
Makinës së kryetarit të Kuvendit, iu hodh miell e vezë. Ndërsa të tjerë socialistë futeshin në sallë, si Ardit Bido, Ervin Demo apo Blendi Klosi protestuesit që ndodheshin jashtë perimetrit të sigurisë, nga larg hodhën vezë për t’i sulmuar por nuk ia arritën. Por ndryshe u pritën deputetët e opozitës, të cilët ndërsa kalonin pranë protestuesve dëgjoheshin vetëm thirrjet “opozitë e shitur”.
Situata u tensionua edhe më shumë pas shoqërimeve të protestuesve. Të tjerët u mblodhën rreth gardhit metalik dhe arritën ta heqin. Policët krijuan një kordon por u përballën me sulme me vezë e sende të forta. Një polic përfundoi i lënduar pasi u qëllua me gurë në kokë.