Pse filmi “The Odyssey” ka shkaktuar kaq shumë polemika
Dritare.net

Filmi i ri i Christopher Nolan, “The Odyssey”, një nga produksionet më të mëdha kinematografike të vitit 2026, është kthyer në një fenomen kulturor edhe përtej ekranit. Adaptimi i poemës së lashtë të Homerit, me një kast ku bëjnë pjesë emra si Matt Damon, Zendaya, Tom Holland, Lupita Nyong’o e shumë të tjerë, ka shkaktuar debate të forta që lidhen me mënyrën se si Hollywood-i po rikthen një nga veprat më të rëndësishme të letërsisë botërore.
Ndërsa filmi pritet me shumë interes për shkak të emrit të Nolan dhe përmasave të tij epike, ai është shndërruar gjithashtu në një nga filmat më të kontestuar të vitit. Polemikat nuk kanë ardhur për historinë e Odiseut, ciklopin Polifem apo udhëtimin e heroit grek, por për mënyrën se si regjisori ka zgjedhur ta interpretojë këtë mit të lashtë.
Një nga debatet më të mëdha ka qenë ai rreth përzgjedhjes së aktorëve. Disa kritikë, veçanërisht në rrjetet sociale, kanë kundërshtuar vendimet e Nolan për një kast më të larmishëm, duke argumentuar se personazhet e lidhura me Greqinë e lashtë duhet të interpretohen nga aktorë me origjinë greke ose evropiane. Në qendër të kritikave është vendosur zgjedhja e aktores me origjinë keniane, Lupita Nyong’o, në rolin e Helenës së Trojës, një figurë që në poemën e Homerit përshkruhet si simbol i bukurisë së jashtëzakonshme.
Disa zëra konservatorë e kanë akuzuar filmin për një qasje “shumë moderne” ndaj një historie klasike, ndërsa mbështetësit e kastit kanë theksuar se “Odisea” nuk është një dokument historik, por një mit që është interpretuar në mënyra të ndryshme përgjatë mijëra viteve. Studiuesit e letërsisë kanë kujtuar se edhe vetë miti i Homerit ka ndryshuar vazhdimisht dhe se çdo epokë ka krijuar versionin e saj të heronjve, perëndive dhe personazheve mitologjike.
Profesori Daniel Mendelsohn, përkthyes i “Odisesë”, ka ironizuar faktin që shumë prej kritikëve që zakonisht nuk diskutojnë letërsinë antike janë kthyer papritur në mbrojtës të saj përmes debateve online. Sipas tij, polemika për Helenën është edhe më e ekzagjeruar, pasi personazhi i saj ka një rol shumë të vogël në poemën e Homerit.
Por kritikat nuk kanë ardhur vetëm nga njëra anë e debatit. Disa studiues dhe kritikë kanë ngritur pyetjen se pse, në një film që synon të sjellë një nga themelet e kulturës perëndimore, nuk ka më shumë aktorë grekë në kast. Sipas tyre, përfaqësimi i kulturave të ndryshme është i rëndësishëm, por po aq i rëndësishëm është edhe lidhja autentike me origjinën e historisë.
Një tjetër valë kritikash lidhet me pamjen vizuale të filmit. Pas publikimit të trailerit të parë, disa shikues vunë në dukje se armatura e personazheve dhe anijet nuk dukeshin mjaftueshëm të lidhura me Greqinë e lashtë. Disa e krahasuan armaturën e Agamemnonit me kostume nga filmat me superheronj, ndërsa anijet e Odiseut u kritikuan si më shumë të ngjashme me anijet vikinge sesa me ato të botës helene.
Debati u zgjerua edhe te gjuha e përdorur në film. Disa fansa u zhgënjyen kur dëgjuan aktorët, përfshirë edhe britanikë, të përdornin thekse amerikane dhe shprehje moderne. Kritika kryesore ishte se dialogu mund të dëmtonte ndjesinë epike të një historie që zhvillohet mijëra vite më parë, informon dritare.net
Megjithatë, ekspertët e Homerit argumentojnë se as përdorimi i një anglishteje shumë solemne dhe as theksi britanik, i zakonshëm në filmat historikë, nuk do të ishin më autentikë. “Odisea” ishte fillimisht një vepër e interpretuar gojarisht para publikut dhe jo vetëm një tekst i shkruar për elitën kulturore. Për këtë arsye, një gjuhë më e drejtpërdrejtë mund të jetë madje më afër shpirtit të rrëfimit origjinal.
Në thelb, polemikat rreth “The Odyssey” lidhen me një pyetje më të madhe: a duhet një film për një mit mijëravjeçar të jetë besnik ndaj imazhit tradicional që kemi krijuar për të, apo duhet ta rikrijojë atë sipas kohës moderne?
Pikërisht kjo përplasje mes traditës dhe interpretimit të ri duket se e ka kthyer filmin e Nolan në një nga ngjarjet më të mëdha kulturore të vitit 2026.
Përtej polemikave, filmi ka sjellë edhe një surprizë nga Shqipëria. Kolona zanore e “The Odyssey”, e krijuar nga kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, është frymëzuar edhe nga iso-polifonia shqiptare, një nga traditat më të rralla muzikore të Ballkanit dhe pjesë e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të UNESCO-s.
Göransson udhëtoi në jug të Shqipërisë, ku regjistroi tinguj të këngëve tradicionale iso-polifonike, si dhe instrumente të vjetra të përdorura nga barinjtë shqiptarë. Sipas kompozitorit, kjo formë e lashtë e këndimit kishte një forcë dhe një atmosferë unike, që i shërbeu krijimit të botës muzikore të filmit për udhëtimin legjendar të Odiseut.
Kështu, ndërsa “The Odyssey” vijon të diskutohet për zgjedhjet artistike dhe interpretimin modern të mitit të Homerit, një pjesë e shpirtit muzikor shqiptar do të jetë pjesë e këtij rrëfimi kinematografik botëror./dritare.net