Na ndiqni edhe në

Aktualitet

Qeveria jep bonus vere për pensionistët, 5 mijë lekë për 777 mijë përfitues

Qeveria ka vendosur të akordojë një bonus të ri për pensionistët në të gjithë vendin, ndërsa shpërndarja e tij pritet të nisë që nga dita e nesërme. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, pas mbledhjes së qeverisë, duke sqaruar se bëhet fjalë për një “bonus vere” me vlerë 5 mijë lekë, nga i cili do të përfitojnë mbi 777 mijë pensionistë dhe persona me status invaliditeti.

“Vendosëm të akordojmë një bonus për pensionistët, do të jetë bonusi i verës me vlerë 5000 lekë. Janë mbi 777 mijë pensionistë që do të përfitojnë nga ky bonus, persona me statusin e invaliditetit. Efekti financiar i këtij bonusi është rreth 3.7 miliardë lekë. Do të vazhdojmë të kemi vëmendje të shtuar për të ardhurat e pensionistëve. Ky bonus jepet për herë të parë në mes të vitit. Ai do të nisë të shpërndahet nga dita e nesërme. Bonusi i shtohet bonusit që pensionistët janë duke marrë që nga janari”, tha ministrja.
Gjithashtu është rritur masa e garancisë sovrane për bizneset.

“Rritet masa e garancisë sovrane për mbështetjen e bizneseve. Ky vendim lidhet me programin “Dyfisho sipërmarrjen tënde” që u dedikohet gjithë bizneseve në Republikën e Shqipërisë. Norma e interesit që do të aplikohet nga bankat do të jetë mesatarisht 2%”, tha Ibrahimaj./K.C/dritare.net