
Diabeti, tensioni dhe zemra këto po ju prishin punë meshkujve në krevat!
Dritare.net
Në një intervistë për Dritare TV, mjekja Drilona Ndrevataj foli për një temë delikate, por gjithnjë e më të përhapur disfunksionin erektil dhe infertilitetin tek meshkujt, duke theksuar rëndësinë e stilit të jetesës dhe ndërhyrjeve të hershme.
Sipas Dr. Ndrevataj, gjithnjë e më shumë meshkuj të moshës 20–40 vjeç përballen me çrregullime të performancës seksuale, kryesisht për arsye psikologjike. Shpesh herë, meshkujt ndihen të presionuar për të dhënë më shumë nga ç'mund të japin, çka i bllokon plotësisht në aspektin seksual", u shpreh ajo.
Ndërsa për grupmoshat mbi 50 vjeç, problemet kanë shpesh bazë organike, të lidhura me sëmundje si hipertensioni, diabeti, problemet kardiovaskulare apo obeziteti. Të gjitha këto ndikojnë negativisht në shëndetin seksual të meshkujve.
Shkaqet kryesore dhe çfarë duhet të ndryshojë.
Një tjetër shqetësim që po prek gjithnjë e më shumë meshkuj është infertiliteti, dhe sipas Dr. Ndrevataj, stili i jetesës është ndër faktorët më të shpeshtë që e shkakton.
Obeziteti, alkooli, duhani, droga dhe stresi kronik janë ndër faktorët kryesorë që ndikojnë në uljen e cilësisë së spermës. "Këshilla më e rëndësishme për meshkujt e rinj që duan të bëhen prindër është: ndryshoni stilin e jetesës. Bëni sport, shmangni stresin dhe hiqni dorë nga veset e dëmshme", theksoi ajo.
Ndër problemet shëndetësore, ajo veçoi varikoçelin si një nga shkaqet kryesore të infertilitetit tek meshkujt e rinj.
“Është një zgjerim i enëve që ushqejnë testikulin dhe përkeqëson cilësinë e spermës. Diagnoza bëhet pas analizës së spermës dhe në shumicën e rasteve kërkon ndërhyrje kirurgjikale.”- përfundon mjekja./E.P-dritare.net

















