Nga Marina Kërçeli
Shqiptarët po largohen se nuk ka punë, apo ikin sepse duan të fitojnë shpejt dhe më shumë se në vendin e tyre?
Kjo pyetje më ka munduar gjatë gjithë ditës sot, teksa ndiqja zhvillimet e protestës që nisi fillimisht nga arsimtarët dhe më pas edhe nga qytetarë të tjerë, në rrugën që lidh Tiranën me aeroportin e Rinasit.
“Mos u largoni, Atdheu ka nevojë për ju”, “Të rinjtë nuk do të detyroheshin të emigronin nëse politikbërësit hartojnë politika për t’i mbajtur ata këtu, duke i motivuar dhe vlerësuar”, ishin disa nga pankartat që mbanin në duar protestuesit.
Protestat janë gjithmonë pozitive në një vend që kërkon që diçka me patjetër të ndryshojë, ose kur diçka nuk po shkon si duhet, por në fakt revoltën duhet ta tregojmë çdo ditë dhe jo vetëm në 1 Maj. Shifrat që lexojmë çdo ditë nga INSTAT, tregojnë se jemi një vend që po plaket shpejt dhe rinia po e refuzon, për të siguruar të ardhurat e tyre diku tjetër.
“Ai që dëshiron të hajë arrën, duhet të thyejë më parë lëvozhgën”, është një ndër shprehjet e njohura të filozofit grek, Plutarku.
Kjo shprehje më bën shpesh të reflektoj, në momentet që edhe unë si e re rrëzohem, herë në punë, herë në shoqëri por dhe jetën familjare, pasi gjërat e bukura nuk shijohen lehtë. Sot që vendi ynë po përballet me një “batërdi” të madhe sociale, ekonomike dhe për më tepër kulturore, nuk duhet “t’ia lëshojmë dorën”, përkundrazi duhet të bërtasim fort: “Nuk largohemi, Shqipëria është e jona!”
Kur thyhemi nga familjarët, nuk besoj se ka fëmijë, që zgjedh të braktisë nënën apo babanë dhe mos t’ia falë gabimet, në këtë prizëm duhet ta mendojmë edhe Shqipërinë, vendin që na dha mundësinë të rritemi, të zhvillohemi dhe të mbajmë me krenari identitetin tonë, se cilit komb i përkasim. Është thënë dhe stërthënë, shpesh nga qeveria se politika do të ndryshojnë, do të hapen më shumë vende pune apo dhe “premtimi i pa mbajtur” për rritje pagash, por edhe në muajin Prill nuk u votua projektligji, jo më të hyjë në fuqi në korrik.
Politika duhet të reflektojë se një vend e zhvillon fuqia punëtore, dhe në këtë moment jemi ne kaq pak sa kemi ngelur, ata që strapacohemi duke vendosur të rrimë edhe me pagë minimale, dhe me shëndetësi që hallin se mbyll dot me muaj, dhe me arsim ku në shumicë rastesh mësohet me libra çapaçulësh, apo dhe të hidhërohemi nga shëtitjet buzë liqenit, ku në 1 orë dëgjon mijëra të sharra nga të mitur dhe adoleshentë. Ndoshta po e shoh shumë gri këtë moment që po kalon Shqipëria, por sërish jam optimiste se ne kemi mundësi të bëjmë më shumë, të sigurojmë dhe paga si në vendet e tjera evropiane apo dhe SHBA-në, që çdo vit luftojmë me viza për ëndrrën amerikane. Jo pra jo, unë, ti dhe çdokush që paguan taksa që shërbejnë si zinxhir për çdo sektor tjetër, duhet të kërkojë më shumë, por gjithmonë me përulësinë se ky vend na përket ne dhe duhet ta duam me çdo sjellje tonë.
Bëhuni shembull i mirë, që të tjerët ta kenë moto, qofshi ju politikanë, biznesmenë, mësues apo dhe aktivistë të shoqërisë shqiptare. Nëse do të jeni një zë i pastër, atëherë je duke kontribuar që të gjitha shtresat e popullsisë të lexojnë, të shohin e të dëgjojnë vetëm të vërteta!/dritare.net