Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Reportazh nga Urumqi!

Reportazh nga Urumqi!

Nga Edmond Laçi

Sa here që udhëtoj në një vend të pashkelur kurrë më parë, në vend të një bagazhi më të madh, preferoj të “marr me vete” një shprehjet ë Oscar Wilde, shkrimtarit dhe gazetarit të madh irlandez, se “nuk ka nevojë të shëtisësh gjithë botën për të kuptuar se qielli është blu”. Ndaj, i sigurt se për aty ku do të shkoj, do të ketë patjetër njerëz si mua, natyrisht edhe një qiell blu, nisem pa e vrarë shumë mendjen. Pavarësisht se këtë herë ky vend quhet Rajoni Autonom i Xinjiang-Ujgurit në Kinën Veriperëndimore...

Reportazh nga Urumqi!

Pas gati katër orë udhëtimi nga Pekini me “Air China”, mbërrijmë në Urumqi së bashku me një grup kolegësh, më të cilët do të shkojmë në Dabacheng, ku ndodhet parku më i madh i prodhimit të energjisë nga era në Kinë si dhe mega-stabilimenti i numrit 2 në botë për turbinat e erës, “Goldwind”. Sa për kuriozitet, Kina është lider botëror në prodhimin e energjisë së erës, me kapacitetin më të madh të instaluar, rreth 34.5 për qind të prodhimit botëror, e ndjekur nga ShBA, me 20.2 dhe Gjermania, 6.2 për qind. Sot gjiganti aziatik vlerësohet të ketë afërsisht 2.380 Gigavat kapacitet të përdorshëm në tokë dhe rreth300 në det...

Por jemi ende në aeroport, ku për fat por dhe për të konfirmuar zgjedhjen e “bagazhit” tim, i pari bar që më shfaqet para syve është “Lavazza”. Kënaqësia e një kafeje ekspres në fund të botës (njësoj sikur të isha në Tiranë apo Torino), por edhe ushqimet e tjera që do shijoj në aq pak ditë qëndrimi, nuk do të më ndahen gjatë gjithë vizitës në këtë vend unik. I “plotësuar” me mjaft informacione online para nisjes, ndër gjërat që i mora më pak seriozisht ishte fakti se nga 1 korriku deri në datën 21, në Xinjiang kishte pasur plot 25 milionë turistë, shumica nga Kina...Imagjino unë që mbërrita në fillim të gushtit, kushedi i sa-ti?! Por u deshën pak minuta në aeroport dhe pak orë në kryeqytet për të kuptuar që unë isha i kisha kaluar 35a më shumë milionët...

Në mbrëmjen e ditës së parë, të lodhur nga udha e gjatë, u shpërndamë herët. Por gjumi dhe kurioziteti im, nuk mbyllen dot me çelësin e dhomës. Dikur, rreth vitit 1996, kur isha me të ndjerin Dritan Hoxha (krijuesin dhe pronarin e Top Media) në një qytet të vogël slloven, pas tre ditësh në “ajër”, me dreka, darka dhe shumë protokoll, me të gjitha nderet dhe respektet nga ato që na kishin ftuar, sapo u kthyem në hotel Tani m’u lut që ta çoja në një vend që nuk do ta respektonin nga emri, por edhe që të paguante diçka vetë...Për fatin tonë, të mirë apo të keq, i vetmi bar i hapur në Celje (kështu quhej qyteza) kishte emrin Stalin. Natyrisht ndenjëm pothuajse deri në agim...Të nesërmen, pasi mbërritëm në Tiranë, Tani më nisi këtë sms: “Po të mos ishte Stalini, unë nuk do merrja vesh që isha në Slloveni...”.

Ky “ves”, më tepër profesional, më kishte shoqëruar pothuajse në çdo cep të globit ku kam pasur fatin të shkoj. Dhe pse jo edhe në Urumqi, kryeqendrën e Xinjiang-ut. As dhjetë hapa larg hotelit, restoranti gumëzhinte nga klientët. Pa porositur ende një birrë lokale Wusu, çunat e përmalluar të rrugës Fortuzima bllokojnë telefonin. Për fat shishja qëia porosis me shenjë një kameriereje të veshur me një kostum popullor të kuq është 630 ml, sa dy tonat në Tiranë. Harrohem rreth 20 minuta në telefon, derisa më në fund porosis,normalisht me shenja, edhe nja dy shishqebape, meqë kisha lexuar se në Urumqi, i qajnë.

Reportazh nga Urumqi!

Por si duket, kisha rënë në sy, ndoshta si njeri pa njeri, ose i huaj, ose nuk e di...Një tavolinë pranë meje me dy djem, kishte porositur një birrë për mua. I thashë faleminderit në kinezisht, ata – s’ka gjë po në kinezisht – pastaj unë në të gjitha gjuhët e mundshme që jam nga Albania, ata me të tyret, që ishin sportistë nga Urumqi, etj., etj., një orë muhabet për shtatë palë qejfe. Miqtë e mi të rinj që u ngritën pak sekonda para meje kishin paguar edhe për mua. Akoma nuk e di, prej gjyshit tim që quhej Ali, apo prej meje, që quhem Edmond...Madje nuk mora vesh as ata vetë çfarë ishin, ujgurë, kinezë han, kazakë, kirkizë, uzbekë apo taxhikë...?!

Mëngjesi në Xinjiang është për gjumashët, sepse aty dhe pse ora zyrtare është njësoj me Pekinin, dielli lind nja dy orë më me “përtesë”. Planeti ynë është plot me mrekulli natyrore dhe vende të bukura që i lënë udhëtarët pa mend, por si Xinjiang-uvërtetë nuk ka dy. Wikipedia thotë se me 1 milion e 660 mijë kilometra katrorë, ky rajon është më i madhi në Kinë, duke i kufizuar me plot 8 shtete: Mongolia, Rusia, Kazakistani, Kirgistani, Taxhikistani, Afganistani, Pakistani e India. Gjatësia e kufijve i kalon 5.400 kilometrat, duke e bërë rajonin me vijën më të gjatë kufitare dhe numrin më të madh të pikave doganore me vendet e huaja.

Por një mësues gjeografie do ta kishte ëndërr t’i tregonte nxënësve të tij se dikur ka qenë në vendin më të rrallë në botë. Aty është shtëpia e lumit më të madh kontinental të Kinës, Tarim, liqenit më të madh të ujërave të ëmbla, Bostenin, por edhe liqenin e kripur që ndodhet në pikën më të ulët nën nivelin e detit, minus 154 metra, Turpan. Po në Xinjiang është regjistruar rekordi kombëtar i temperaturës më të ulët (në Altai), por edhe rekordi i temperaturës më të lartë, në Turpan. Edhe pika më e largët në Tokë nga deti ndodhet pikërisht në Xinjiang, 2.648 kilometra. Maja më e lartë në rajon arrin 8.611 metra mbi nivelin e detit përgjatë kufirit me Kashmirin, ndërkohë rekordi botëror në Everest është vetëm 237 metra më shumë. Xinjiang është edhe rajoni më i thatë në Kinë, shumica e të cilit, kryesisht në pellgun e Tarim, ka më pak se 50 mm shi në vit, me një minimum absolut rreth Ruoqiang,me më pak se 5 mm në vit. Edhe dallimet më të konsiderueshme sezonale dhe lokale janë po në Xinjaing, ku rekordi mbahet nga Turfan, me temperaturat që shkojnë përkatësisht nga -10 °C në+32° C (maksimumi absolut në të gjithë Kinën). Në Xinjiang, ku më pak se 10 për qind e sipërfaqes mund të banohet nga njerëzit, ndodhet edhe shkretëtira më e madhe në vend dhe e dyta më e madhe lëvizëse në botë. Një libër gjeografie më vete...

Reportazh nga Urumqi!

Por pikërisht këtu, jeta bimore harliset me të gjitha ngjyrat e saj. Kullota të gjëra, pyje halorë të përziera me pemë gjethegjerë, mbulojnë luginat e mrekullueshme dhe vargmalet kryesore. Pjesa tjetër e sipërfaqes është e mbuluar me stepë të thatë, e cila falë pranisë së ujit të rrjedhshëm në sipërfaqe ose nga akuiferët nëntokësorë, ndonjëherë krijon këneta të gjëa të njelmëta. Të shpeshta janë oazet ose zinxhirët e oazeve që mbulojnë të gjitha ultësirat. Për më shumë se 2 mijë vjet banorët e këtyre zonave kanë kultivuar tokat e oazeve duke përdorur furnizimin me ujë përmes kanaleve nëntokësore për të shmangur humbjet nga avullimi. Prandaj një pjesë e madhe e ekonomisë së Xinjiang-ut është e lidhur me bujqësinë, ku kulturat kryesore janë rrushi, pjepri, arrat, gruri, por sidomos pambuku dhe mëndafshi, që janë me famë botërore. Në blegtori shquhen fermate deleve, mishi i të cilave është i jashtëzakonshëm...

Eh, nëse je kurioz ose më mirë akoma, oreks-madh, nuk ka vend më të mirë në botë se sa në Xinjiang. Mjafton të provosh Grand Bazaar në Urumqi, për të kuptuar se je në vendin e duhur. I njohur si Pazari i Madh Ndërkombëtar i Xinjiang, ai është më i madhi në botë, duke mbuluar një sipërfaqe prej 39.888 metrash katrorë. Rreth 3 mijënjësi shitjesh për veshje, instrumente muzikorë, qeramikë, bizhuteri, arra, çajra medicinalë, fruta, qilima etj. etj., t’i “grabisin” orët pa kuptuar, duke të lënë pa mend. Përveç blerjeve, aty mund të marrësh pjesë në Teatrin e Banketeve dhe Performancës, të shijosh ushqime në sheshin e gatimeve, apo t'i bashkohesh eksitimit në Sheshin “Gëzuar”...Është aq i madh, por njëkohësisht edhe aq miqësor saqë shpeshherë të duket vetja sikur je në Pazarin e Ri në Tiranë, ose në atë të Vjetër në Korçë...tavolina druri, birra lokale, shishqebap dhe shumë hare...

Reportazh nga Urumqi!

Por edhe kur ulesh në tavolinë për drekë ose darkë në një restorant, është sërish një eksperiencë e paparë. Bëj sikur i mbaj mend, por është e pamundur mes gatimeve tradicionale të Xinjiang: mish i mbushur...me mish, mish qingji, mish viçi, pish pule, pikant ose jo...dhe tavolina që rrotullohet të sjell gjithmonë diçka të re para teje. Ky vend është i duhuri për një mikun tim arkitekt në Tiranë, i cili“zbërthen”një qengj të të rënë tavolinë për pak minuta, ndoshta më mirë se kushëriri im Dr. Endri, një ndër kirurgët më të mirë në Shqipëri...Jam i sigurtë se sapo të më lexojë, do më besojë dhe do prenontojë një biletë për këtu. Pa i rrëfyer për eksperiencën nëTianshan, rreth 80 kilometra nga Urumqi, ku ndodhet International Ski Resort “Silk Road”, por edhe një park kombëtar i mrekullueshëm, rreth 2 mijë metra mbi lartësinë e detit. Pikërisht nën këmbët e Tianshan, kemi prenotuar të darkojmë fshatçe. Pronari i disa prej bujtinave, është një fotoreporter i mrekullueshëm, me shumë çmime ndërkombëtare, i cili më kujton mikun tim, fotoreporterin e njohur shqiptar, Tor Pustina,kur hapi lokalin e tij në Petrelë. Ai na pret në një tavolinë gjigante, me dru dhe mermer,e bërë posaçërisht për kafe dhe çaj. Uji i valuar që lan dhe ngroh filxhanët, hidhet nga i zoti i shtëpisë herë pas here, në shenjë respekti dhe mikpritjeje. Vajza e tij e vogël, e mësuar me turistë të shumtë më ulet pa pikë droje në prehër, unë i vë një stacion kukullash në Tibo Mobile dhe të dy harrohemi në “punët” tona...Unë dhe babai i saj, si kolegë të vjetër, tani kemi punë të tjera, duke filluar me një Gan Bei (dolli me fund)...

Por nëse natyra është treguar sa e ashpër, aq edhe zemërgjerë me Xinjiang-un, edhe njerëzit me veprat e tyre nuk kanë mbetur pas.

Reportazh nga Urumqi!

Turbinat gjigante të erës të instaluara në mes të tokave të shkreta dhe poshtë tyre, devetë që shëtisin në habitatin e tyre, janë diçitura e fotos që sado të mundohem nuk e tregoj dot me fjalë. Autostradat e reja që rrethohen (edhe në mes të shkretëtirës) nga lulishte sikur të ishin punuar me 3D, ndërtesat moderne të ndërthurura me perlat e vjetra mijëravjeçare të shumë kulturave..., të ftojnë të vish sërish në Xinjiang. Unë për vete e kam vendosur. Radhës tjetër, do udhëtoj vetëm me biletë ardhje...Edhe pse kam parë shumë në ato pak orë, nuk kam paskam parë asgjë./dritare.net