
Shqiptarët që i çmend emigrimi, e vrasin gratë, në kërkim të së mirës që ju rri larg!
Dritare.net
Nga Malvina Tare
Për vite me radhë shqiptarët kërkojnë tokën e premtuar për një jetë më të mirë me sytë larg e gjetkë në atdhe të tjerë. Nga pamundësia, varfëria, problemet familjare e sociale, nga familje me shumë pjesëtarë ose të vetëm, kanë ikur e mërguar për të zgjidhur hallet. Familje të ndara për vite me radhë nga migrimi. Burrat kanë emigruar duke ikur pa ditur se ku po shkonin.
Por, kur një pjesë e atdheut zhvendoset diku, atje shkojnë edhe problemet tona. Problemet nuk zhduken, ato marrin një formë tjetër. Në një terren më të vështirë për të shpjeguar veten, për të shpjeguar ndjenjat dhe frikërat, problemet komplikohen.
Sepse janë disa mënyra sjellje që ne i marrim nga familjet tona, siç marrim mësimet dhe këshillat e mira, marrim edhe të këqijat. Ato vijnë të gjitha bashkë. Është mënyra jonë ballkanase e jetesës të jemi kështu, "gjaknxehtë për momentin".
A i ka folur ndonjëherë me butësi në nerva e sipër babai nënës tuaj? A kanë aktruar ata ndonjëherë për hir të fëmijëve, për të shmangur sherre apo debate në praninë e tyre?
Jo, kjo nuk ndodh sidomos në familjet shqiptare. Këto janë disa ndjesi që ne i shprehim në familjet tona pa kokëçarje, pa e vrarë mendjen për ndjenjat e më tej. Jemi të drejtëpërdrejtë në familjaren tonë. Jemi të vërtetë.
E në këtë sfond ne e kemi paksa të vështirë të qasemi në mënyrën e jetesës evropiane, amerikane. Agresivitetin që na ka shoqëruar ndërsa rritemi ne nuk e transformojmë dot, nuk e përkthejmë dot në asnjë gjuhë. E ndërsa sakrificat e emigrimit të kërkojnë të shtypësh shumë ndjenja edhe më të forta sesa kaq. Të shtypësh intelektualitetin, të harrosh shkollimin që ke bërë në jetë e t’i nënshtrohesh një pune tjetër vetëm për hir të mbijetesës. Të nisësh e ta kërkosh prap fajin tek vetja.
Në shumë raste gratë që ju bashkohen bashkëshortëve të tyre në emigrim. Shkojnë për parajsën, por përpara ju shfaqet ferri. E shpesh e gjejnë veten të papuna, të pa arsimuara, nuk përshtaten dot, nuk ndihmojnë dot as veten, as burrin e as familjen. Por, këtë një burrë shqiptar rrallë ta fal. Burrat shqiptarë kërkojnë të marrin 200% të asaj që japin në raportet bashkëshortore. Nuk janë ndihmues, janë gjykues dhe dhunues të pamëshirshëm. Dhe fajin e sakrificës së tyre, pas vetes, e kërkojnë tek gruaja, tek shqiptarja që flet shqip, që ju kupton hallet, nervat, varfërinë, sakrificat. Tek ajo e kërkojnë dhe e shfrytëzojnë pa pikën e dhembshurisë, derisa i marrin dhe frymën e fundit. E vrasin me duart e tyre. Duke transformuar sakrificën e jetës në çmendurinë më të madhe të saj.
Shqiptarët çmenden në emigrim dhe vrasin gratë, duke shkatërruar shumë më shumë se vetëm një jetë. Agresivitetin e kanë të trashëguar, ndërsa çmendurinë nuk e pranojnë, e as duan që ta kurojnë. Shqiptarët po humbasin mendjen, gratë, e bijat në kërkim të së mirës që ju rri larg. Të sakrificës pa emër që ju rrëmben mendjen dhe ju errëson sytë pa ditur se çfarë bëjnë./dritare.net

















