Na ndiqni edhe në

Shkruaj në Dritare

Unë, mësuesja e Blerinës, që u mbyt 8-vjeçe në Otranto!

Unë, mësuesja e Blerinës, që u mbyt 8-vjeçe në

Nga Valbona Preka Lamaj

Letër drejtuar zonjës Rudina Xhunga!

Përshëndetje Rudina. Nuk besoj se ka njeri që dëgjon histori shqiptarësh, e nuk preket. Emisionet e tua i ndjek me shumë interes, dhe kjo më bëri edhe që t’iu shkruaj dhe të ndaj me ty historinë time.

Unë jetoj në USA që prej vitit 1998 dhe të dëgjoj çdo ditë në punë. Punoj dhe teksa punoj, dëgjoj emisionet e tua. Sot dëgjova historinë e Viron Xhevarës, të mbijetuarit të tragjedisë së Otrantos. Në kujtesë më erdhi historia e nxënëses sime të mbytur, sepse në atë kohë kam qenë mësuese.

Kam 25 vite e larguar nga Shqipëria dhe 25 vjet pa shkruar shqip, vetëm përshëndetje ose fjali të shkurtra. Jo se jam perfeksionuar në anglisht, por jam varfëruar në gjuhën tonë dhe më vjen shumë keq kur e mendoj këtë. E dëgjoj emisionin tënd në punë gati me orë të tëra.

Për herë komentova në historinë e kanalit të Otrantos, tek personi që kishte shpëtuar dhe jetonte në Philadelphia. Nuk komentoj asnjëherë, por këtë herë e ndjeva që duhet të komentoja. Unë isha mësuese e re te shkolla e orizit që njihej në atë kohë në Vlorë.

Isha mësuese e klasës së dytë. Sapo isha martuar në Vlorë, dhe kisha filluar punë. Në atë kohë edhe shkollën e kishim pasdite. Pasi u mbyllën shkollat disa kohë, u rihapën dhe kur kthehemi dhe hyj në klasë shikoj një vend bosh! Mbi bankë kishte lule. U habita, pyeta se çfarë kishte ndodhur.

Më thotë një prind dhe disa nxënës se ishin lule për vëllain e Blerinës sepse gjithë familja ishte mbytur. Edhe Blerina. E kam kujtuar gjithmonë, po mbase dhe gaboj. Quhej Blerina Fejzaj, vetëm 8 vjeçe. Nuk jam e sigurt. I festuam ditëlindjen dy muaj para se të mbytej. Nga familja e saj u mbytën 7 veta, edhe gjyshi me gjyshen. Kur mbaroi viti shkollor më ngelën fletoret e saj, që i lashë në dollapin e klasës. Kujt t’ia jepja? Nuk ishte askush nga familja që t’ia dorëzoja.

Pak nga kjo histori shkruajta, doja ta kujtoja vajzën e vogël. Gjithmonë e kujtoj. Disa ditë më përpara, nëndrejtoreshës së shkollës tonë, iu mbyt burri dhe djali. Të qash mbi xhaketën e fëmijës, është e tmerrshme. Histori që kur i kujtoj, trembem.

Ah moj Rudina, në atë kohë mbytja ishte refren çdo ditë, refren i dhimbjes së madhe të shqiptarëve./dritare.net