
Ata janë “Vatra”, zërat e një bashkësie që nuk harron kush është!
Dritare.net
Në një qytet të madh si Chicago, me ritme të vrullshme dhe sfida të përditshme, ka një grup njerëzish që nuk janë as politikanë, as milionerë, por që çdo ditë mbajnë ndezur dritën shqiptare në diasporë.
Janë emigrantë që kanë ardhur në kohë të ndryshme, me lotari, me programe shkëmbimi, me sakrifica familjare dhe që, pavarësisht se kanë ngritur jetën e tyre në Amerikë, nuk e kanë mbyllur kurrë derën e shpirtit ndaj Shqipërisë.
Ata janë mësues pa pagesë që mësojnë fëmijët të shkruajnë “nënë” në gjuhën e zemrës.
Janë ekonomistë që shpjegojnë politikën amerikane për të forcuar votën shqiptare.
Janë infermierë që dikur ishin pedagogë dhe tani ndihmojnë të sapoardhurit të gjejnë rrugën.
Janë biznesmenë që mbyllin plagët e komunitetit.
Janë gra dhe burra që çdo fundjavë nuk pushojnë, por japin: kohë, mund, zemër.
Këtu nis udhëtimi ynë në jetën e shqiptarëve të Chicago-s, përmes figurave të “Vatrës”, një shoqatë që nuk është thjesht organizatë, por një familje e zgjeruar.
Secili prej tyre përfaqëson një gur të vogël në një vatër të madhe, që ngrohet jo nga zjarri, por nga bashkimi, respekti dhe dashuria për rrënjët.
Ata janë Mirela Kanini, kryetare e Vatrës në Çikago, Ernest Nasto, nënkryetar, Emanuela Cako, shefe kabineti, Blerta Hasimi, Shkelzen Cakeri, Artan Nati, Dhimo Jano dhe Ardian Ruci, anëtarë të kryesisë, që e kanë kthyer “Vatër”-ën në një vatër të vërtetë shqiptarie.
1. Mirela Kanini, gruaja që udhëheq pa komanduar
Kur Mirela Kanini erdhi në SHBA, nuk e kishte në mendje që një ditë do të ishte në krye të një shoqate që do të bashkonte gjithë komunitetin shqiptar në Chicago. Por sot, ajo është zemra e “Vatrës”. Nuk mban tituj me rëndësi, madje në eventet që organizon, nuk e dallon dot kush është kryetarja. Sepse Mirela punon si pjesë e një skuadre, dhe këtë frymë ka ditur ta ngjizë. Bashkë me të tjerët, çdo muaj mblidhen, planifikojnë aktivitete, ndihmojnë njerëz në heshtje, organizojnë festa, turne sportive, e mbi të gjitha, japin shembullin që shqiptarët mund të bashkohen, kur udhëhiqen nga zemra, jo nga egoja.
2. Blerta Hasimi, e ardhur me lotari, me mision në komunitet
Blerta erdhi në Amerikë në vitin 2003, pasi fitoi lotarinë. Prindërit i kishte në SHBA, por ajo u bashkua me ta pak më vonë, si shumë të rinj që presin për dekada bashkimin familjar. Sot punon në fushën e financës, por zemrën e ka te komuniteti. Është një nga shtyllat e “Vatrës” dhe shembull i shqiptarit që, edhe pse ka ndërtuar jetën në një vend tjetër, nuk ka harruar se ku i rreh rrënja. Për Blertën, identiteti nuk është diçka që e ruan në valixhe, por që e ndan me të tjerët, në shkolla, në aktivitete, në çdo takim që bëjnë për të mbajtur gjallë gjuhën dhe lidhjen me Shqipërinë.
3. Emanuela Cako, mësuesja e gjuhës shqipe në tokën e huaj
Emanuela erdhi në SHBA në janar të vitit 2020, me një program shkëmbimi për studentë. Ishte viti i pandemisë, por për të, Amerika u bë shtëpi dhe hapësirë mundësish. Për një vit, Emanuela dha mësim në një nga shkollat shqipe të Chicago-s, duke u bërë ndër të paktat mësuese që ruajnë gjuhën tonë me përkushtim, pa pagesë, pa shumë mjete – vetëm me dashuri për fëmijët dhe për gjuhën. Sot ajo punon si menaxhere dhe është pjesë aktive e komunitetit. Ëndrra e saj është që çdo fëmijë shqiptar në Amerikë të dijë të shkruajë “Nëna” në gjuhën e vet.
4. Ernest Nasto, analisti i heshtur që ndihmon shqiptarët të kuptojnë Amerikën
Me profesion ekonomist, me pasion historian dhe politolog, Ernesti ka vendosur që përveç punës së tij, të kontribuojë në edukimin politik të shqiptarëve në diasporë. Ai organizon aktivitete që u shpjegojnë shqiptarëve si funksionon sistemi amerikan, pse është e rëndësishme të votojnë, si të bëhen pjesë e jetës publike. Sepse për të, identiteti nuk është vetëm flamur dhe gjuhë, por edhe qytetari. Ernesti është një urë midis brezave, ndihmon ata që sapo kanë ardhur të kuptojnë realitetin e ri dhe ata që kanë lindur këtu të mos harrojnë nga vijnë.
5. Shkëlzeni Cakeri, nga pedagog në Shqipëri, në infermier në Amerikë
Shkëlzeni është historia e përshtatjes. Nga pedagog në Shqipëri, në punëtor hidraulik në fillim të emigracionit, e më pas në infermier në SHBA. Ka ardhur me program veror, është kthyer për të përgatitur dokumentet për familjen dhe sot është një nga figurat më aktive të “Vatrës”. Ai është dëshmi se Amerika është vendi i mundësive, por suksesi vjen vetëm me shumë punë, sakrificë dhe përshtatje. Sot Shkëlzeni ndihmon të tjerët të gjejnë punë, të orientojnë fëmijët, të ndërtojnë jetë të reja – siç dikur dikush ndihmoi atë.
6. Ardian Ruçi, nga Tirana në rrugët e gjata të kamionëve në SHBA
Ardiani ka ardhur në Amerikë në vitin 2001. Sot është një nga tre vëllezërit që kanë ngritur një kompani transporti kamionësh në Chicago. Por Ardiani nuk është vetëm një sipërmarrës i suksesshëm, ai është një nga organizatorët më të mëdhenj të komunitetit shqiptar. E njeh çdo shqiptar të zonës, i fton të kontribuojnë, bashkëpunon për turnetë sportive, për festat kombëtare, për koncertet. Është lidhës i padukshëm i shumë fijesh që ndryshe do mbeteshin të këputura. Ai e di: për të pasur një vatër të ngrohtë shqiptarie, duhet ta ndezësh çdo ditë.
7.Dhimo Jano dhe Artan Nati që ndërtuan më shumë se restorante
Dhimo, me origjinë nga Gjirokastra, nuk ka ndërtuar thjesht restorante në Amerikë. Ai ka ndërtuar vende ku shqiptarët ndihen si në shtëpi, ku aroma e kuzhinës të kujton shtëpinë e gjyshes, dhe fjala “mirë se erdhe” ka gjithmonë pak më shumë dashuri. Së bashku me partnerin e tij, Artanin, ata ngritën një kompani restorantesh që sot janë simbol mikpritjeje, për shqiptarë dhe amerikanë njësoj.
Por përtej suksesit në biznes, ajo që e bën Dhimon të veçantë është përkushtimi i tij ndaj komunitetit. Ai është një nga mbështetësit kryesorë të “Vatrës”, jep ndihmë pa bujë, hap dyert e restoranteve të tij për mbledhje, koncerte, aktivitete humanitare. Për të, restoranti është një skenë ku kultura shqiptare shërbehet bashkë me pjatën.
“Unë nuk kam humbur identitetin tim. Kam ardhur në Amerikë, por kam sjellë me vete Gjirokastrën, dhe përpiqem ta ndaj çdo ditë me të tjerët,” – tha ai me thjeshtësi gjatë intervistës.
Në një qytet të madh si Chicago, ku anonimati është normë, njerëz si Zoti Jano janë si një fanar i qetë që mban ndezur dritën shqiptare./dritare.net

















