
Berisha dhe SHBA. Lobimi, strategjitë amerikane dhe sfidat e opozitës! Flet Roland Bimo!
Dritare.net
I ftuar në emisionin Shqip nga Dritan Hila në DritareTV, ambasadori shqiptar Roland Bimo ka ndarë mendimet e tij mbi zhvillimet e fundit në marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vënë në qendër të diskutimit çështjen Sali Berisha, lobimet shumëmilionëshe dhe ndikimin e administratës Trump në realitetin politik shqiptar.
Ambasadori komentoi përpjekjet gjatë fushatës zgjedhore për të ndryshuar statusin “non-grata” të Berishës në SHBA, duke përmendur emrin e strategut amerikan Chris LaCivita, të afërt me rrethin e Trump. Sipas tij, përpjekja për të lobuar që Berisha të merrte një vizë amerikane ishte pjesë e një strategjie për të dhënë sinjale politike në Shqipëri dhe për të treguar se “non-grata ka rënë”. Megjithatë, ambasadori thekson se këto përpjekje nuk dhanë rezultat: “Departamenti i Shtetit nuk ia doli, Berishës i mbeti në grata.”
Një nga elementet më të rëndësishme të analizës së ambasadorit është ndërlidhja midis lobimit dhe sistemit amerikan. Ai theksoi se ndonëse paratë luajnë një rol gjithnjë e më të madh në politikën amerikane, kjo nuk përkthehet në ndikim automatik mbi vendime të ndjeshme shtetërore, siç është statusi i një individi “non-grata”. Bimo u shpreh se nuk beson se lobimi mund të përmbysë një vendim të tillë si ai për Berishën.
"Departamenti i shtetit ende nuk ka sinjale të paktën për LaCivitan dhe lobimin. Gjykata e Lartë thotë që nuk ka kufizim në sasinë e parave që harxhohen sepse nuk mund të kufizojmë sasinë e lirisë së shprehjes. Pra ti mund të harxhosh, të duhen për të harxhuar para në mënyrë që ti të mund të shprehesh vetveten përmes gazetës, përmes radios, përmes televizionit, përmes fletushkave e tjerë e tjerë. Pra, në qoftë se ne do të kufizonim shpenzimin e parave për të bërë për komunikimin politik, kjo quhet kufizimi i lirisë të shprehjes në bazë të amendamentit të parë. Pra në 1976 u hapën të gjitha portat për të mos kufizuar se sa para harxhohen. Në 2010-ën është një vendim tjetër sipas të cilit korporatat dhe këto sindikatat nuk kufizohen për sasinë e parave që mund të harxhojnë në fushatë elektorale. Pra me këto dy vendime Gjykata e Lartë i ka hapur rrugën asaj që ndodhi me zotin Mask që vajti në Filadelfia që ishte shteti që i dha fitoren presidentit Trump sepse në Filadelfia varej shumë rezultati. Votat ishin aq afër me njëra-tjetrën dhe nëse do kishin dalë 250.000 myslimanë të Filadelfas në zgjedhje, nuk do ishte ky rezultat zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por Elon Musk ngriti bazën atje në javë dhe jepte nga 1 milion në ditë me një lloj lotarie. Pra ka harxhuar rreth 120 milion dollarë për fushatën e zotit Trump në Filadelfia sepse nuk kishte marrë asnjë lloj kufizimi. Përsëri sado para të harxhosh për lobim brenda vendit nuk është njësoj si të harxhosh para për lobim për jashtë vendit sepse pastaj fillon e hyjnë edhe disa gjëra shumë më delikate për politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu që çfarë ka të bëjë me lobimin, me marrëdhëniet me jashtë, gjërat janë shumë më të kufizuara dhe nuk besoj që ti mund të kapërcesh etapa proceduriale që duhen ndjekur për një vendim të kësaj natyre që është thesari, FBI-ja, CIA, kush mund të jenë organet e tjera që merren me këto çështje. Pra ka një procedurë për fenomene, njerëz, organizata që konsiderohen si rrezik për sigurinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu që në këtë këndvështrim sado paratë lobimi të harxhohen do ishte shumë e vështirë për t'ju kundërvënë një procesi ligjor dhe administrativ në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.", u shpreh Bimo.
Ambasadori vuri në dyshim edhe efektivitetin e kontratave të lobimit të lidhura nga opozita shqiptare me firma amerikane, përfshirë një kontratë 6 milionë dollarëshe, që sipas tij mund të jetë më shumë një përpjekje për “të blerë markën USA” sesa një strategji efektive për ndryshim. Ai ngriti pikëpyetje mbi lidhjet personale të përfshira në këto kontrata, duke theksuar se miqësitë dhe njohjet familjare nuk janë faktorë përcaktues në vendimet shtetërore amerikane.
Në përfundim, ambasadori Bimo solli në vëmendje një realitet të rëndësishëm: sistemi amerikan është i sofistikuar dhe kompleks, ku ndikimi i parave ka kufizime të forta kur përplaset me interesat e sigurisë kombëtare. Pavarësisht përpjekjeve lobuese, statusi i Sali Berishës mbetet i pandryshuar dhe çdo përpjekje për ta transformuar këtë realitet përmes rrugëve të tërthorta duket e destinuar të dështojë./K.C/dritare.net

















