
Dy shkolla shqipe në Çikago mbajnë gjallë gjuhën tonë. A po i ndihmon shteti shqiptar?!
Dritare.net
Në një qytet si Chicago, me mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë prej dekadash, ruajtja e gjuhës dhe kulturës është një betejë e përditshme. Dhe këtë betejë nuk e bëjnë as konsullatat, as institucionet zyrtare – por mësues vullnetarë dhe prindër të përkushtuar që, çdo fundjavë, e lënë kohën e tyre të lirë për të ndihmuar brezin e ri të mos harrojë gjuhën shqipe.
Në Chicago funksionojnë dy shkolla shqipe:
Shkolla “Arbëria”
Shkolla “Kongresi i Manastirit”
Të dyja zhvillojnë mësim të dielave, me klasa të vogla, për disa orë në javë. Nuk kanë godinë të vetën, nuk kanë staf të paguar, dhe nuk kanë një mbështetje të qëndrueshme nga shteti shqiptar. Por kanë diçka tjetër: dashurinë për gjuhën dhe Shqipërinë.
“I mësojmë fëmijët të flasin, të lexojnë, të shkruajnë shqip. Por jemi vetëm.”
Kjo ishte dëshmia e një prej mësueseve vullnetare, që dikur punoi në shkollën “Arbëria”. Emanuela, një shqiptare që ka shkuar në SHBA me program shkëmbimi studentor, vendosi t’i kushtojë fundjavat për t’i mësuar fëmijët shqip.
“Nuk marrim pagesë. I blejmë vetë shpesh materialet, përdorim klasa të marra hua, ndonjëherë edhe salla të komunitetit. Por vazhdojmë, sepse e dimë sa shumë vlen për një fëmijë që të dijë kush është dhe nga vjen,” – thotë ajo.
Numri i nxënësve po rritet, por mungon mbështetja
Sot, shkolla “Arbëria” ka rreth 25 nxënës, ndërsa “Kongresi i Manastirit” rreth 20 nxënës. Dhe interesimi po rritet. Familjet shqiptare po vetëdijësohen gjithnjë e më shumë për rëndësinë e ruajtjes së gjuhës amtare. Por vështirësitë janë të shumta:
• Mungojnë libra dhe materiale mësimore moderne
• Nuk ka mbështetje financiare për mësuesit
• Nuk ekziston një strukturë zyrtare koordinimi me Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë
• Asnjë përfaqësim diplomatik i drejtpërdrejtë arsimor që t’i ndihmojë shkollat shqipe në diasporë
Një thirrje për shtetin shqiptar: Mos harroni fëmijët tanë jashtë vendit!
Mësuesit dhe drejtuesit e shoqatës “Vatra Chicago”, që ndihmon të dyja shkollat, kërkojnë një ndihmë konkrete nga shteti shqiptar:
Libër për çdo fëmijë. Pako materiale për çdo shkollë. Rrjetim dhe trajnime për mësuesit. Bashkëpunim institucional për të formalizuar punën që sot bëhet vetëm nga zemra dhe vullneti
Sepse, siç thanë në intervistën për Dritare TV, gjuha është përkatësi, dhe përkatësia është vetëbesim për brezin e ri. Ata që nuk mësojnë shqip, shumë shpejt nuk do ndihen më shqiptarë.
Nëse nuk ndihmojmë sot, do jetë vonë nesër!
Fëmijët e diasporës janë pasuria më e madhe afatgjatë që ka Shqipëria jashtë kufijve. Por nuk mjafton t’u kërkosh që “të mos harrojnë nga vijnë”. Duhet që shteti t’i mbështesë aty ku janë, në shkollë, në gjuhë, në identitet.
Sepse këto shkolla janë më shumë se klasa. Janë urë lidhëse me atdheun./dritare.net

















