
Kualifikimi në Euro 2024, futbollistët e Kombëtares tregojnë synimin tjetër për skuadrën!
Dritare.net

Kryeministri Edi Rama në podkastin Flasim këtë herë kishte të ftuar futbollistët e Kombëtares, Berat Gjimshit, Elseid Hysaj, Mario Mitaj, Frederik Veseli, Myrto Uzuni, Elhan Kastrati pas kualifikimit për në Evropianin 2024.
Futbollisti Gjimshiti ka treguar ecurinë e Kombëtares ndër vite dhe trajnimin në Itali, ku theksoi: “Kohë tjetër tani. Isha nga Zyrihu që shkova në Atalanta në Itali, kështu që ishte e vështirë për të mësuar dhe gjuhën, edhe taktikën e futbollit italian dhe nuk kisha ndeshje, nuk luajta fare, luajta vetëm në 3 ndeshje në 6 muaj, pastaj erdha tek kombëtarja dhe për grumbullimin para Europianit dhe vendosi trajneri De Biasi atëherë, që nuk isha në formë dhe nuk më merrte, kështu që e pranova. Puna vazhdon, ecën përpara dhe s’ka asgjë tjetër”.
Ndërkohë Hysaj ka treguar se kombëtarja ka një performancë shumë të mirë pas sfidave të shumta, ku theksoi: Besoj që është edhe kjo, që janë duke luajtur shumë shqiptarë në seria A dhe në kampionate të tjera dhe njerëzit ose trajnerët, presidentët po besojnë tek ne se dikur me të vërtetë ka qenë shumë e vështirë të futej një shqiptar në Itali se ishte si puna e ekstra komunitetit, pa letra. Por tani vërtete po dëgjohemi dhe unë po dëgjoj gjithmonë shqiptarë të rinj që dalin.
Po ashtu Hysaj ka treguar disa nga arritjet e Kombëtares dhe çfarë e ka bërë atë që të jetë në top formë.
“Ka ndryshuar shumë sepse kam thënë gjithmonë, nëse një skuadër fiton, merr vetëbesim, merr siguri dhe kjo besoj ka qenë një ndër pikat më të forta që kemi pas në këtë Kombëtare. Edhe ardhja e trajnerit të ri është me shumë pozitivitet, të jep siguri në vetvete, të bën të besosh që ti je lojtar i fortë dhe mund të bësh më shumë sesa herët e tjera. Siç e the dhe ti, ti ke ardhur në stadium dhe ke ikur në minutë të ’70, por ne qysh në minutë të parë e kemi pasur këtë kokën duke na plasur sepse nuk po ecte mirë në ato vite që me të vërtetë besoj kanë qenë vitet më të këqija që kemi kaluar ndonjëherë, në Kombëtare dhe ne vetë. Njerëzit nuk na donin, as familjarët tanë nuk na donin në një moment. Ardhja e trajnerit të ri, pozitiviteti që na ka dhënë trajneri dhe vetëbesimi i gjithë lojtarëve, na ka bërë të rritemi dhe ne, pas Polonisë, kur luajtëm atje, të gjithë po flisnim me njëri-tjetrin që me të vërtetë mund t’ia dalim këtë vit sepse e pamë që dimë të luajmë, kemi kualitet, kemi lojtarë, po nuk qe njëri, futet tjetri që i jep një dorë dhe është ndoshta edhe më mirë sesa tjetri që ishte në fushë dhe besoj që kjo ka qenë pika më e fortë e jona që ka ndryshuar”, ka theksuar ai./M.K-dritare.net

















