Na ndiqni edhe në

Sport

Nga Messi te Ronaldo, 10 legjendat që mund t’i japin lamtumirën Kupës së Botës

Me fazën me eliminim direkt që ka nisur, shumë prej yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror mund të jenë duke luajtur ndeshjet e fundit në një Kupë Bote. BBC ka renditur 10 emrat më të spikatur, nga Lionel Messi dhe Cristiano Ronaldo te Luka Modriç, Neymar e Kevin De Bruyne, të cilët, për shkak të moshës, mund të mos jenë pjesë e Botërorit të vitit 2030.

Në krye të listës qëndron Lionel Messi. Në moshën 39-vjeçare, argjentinasi vazhdon të thyejë rekorde dhe po zhvillon Botërorin e tij të gjashtë, ndërsa triumfi i vitit 2022 mbetet kulmi i karrierës së tij me kombëtaren.

Pas tij renditet Luka Modriç, i cili në moshën 40-vjeçare vazhdon të jetë lideri i Kroacisë. Mesfushori veteran ka qenë protagonist në sukseset historike të vendit të tij, me finalen e vitit 2018 dhe vendin e tretë në vitin 2022.

Cristiano Ronaldo mban vendin e tretë. Portugezi 41-vjeçar është rekordmen për numrin e ndeshjeve dhe golave me kombëtaren, por Kupa e Botës mbetet trofeu i vetëm madhor që ende nuk e ka fituar.

Në listë bën pjesë edhe portieri Manuel Neuer, kampion bote me Gjermaninë në vitin 2014, ndërsa Neymar vazhdon të ëndërrojë triumfin me Brazilin, pavarësisht problemeve të shumta me dëmtimet në vitet e fundit.

Mes emrave të tjerë janë Kevin De Bruyne, Virgil van Dijk, Mohamed Salah, Son Heung-min dhe Sadio Mane, futbollistë që kanë lënë gjurmë në arenën ndërkombëtare dhe që mund të jenë duke mbyllur ciklin e tyre në kompeticionin më të rëndësishëm të futbollit botëror.

Sipas BBC, ky Botëror mund të shënojë fundin e një epoke për disa prej legjendave më të mëdha të lojës, të cilat kanë dominuar futbollin ndërkombëtar për më shumë se dy dekada./K.C/dritare.net