
Erion Braçe kujton Dritan Hoxhën: Ti e bëre gjuhën shqipe të ndjehet në çdo shtëpi shqiptari, kudo në botë
Dritare.net
Deputeti socialist Erion Braçe ka kujtuar ditëlindjen e të ndjerit, Dritan Hoxha, themelues i Top Channel. Përmes një mesazhi në rrjetet sociale, Braçe shprehet se Dritani, ishte vizionar, kishte ëndërra të mëdha, por ia doli të realizonte më të rëndësishmen, atë të gjuhës shqipe, që mban bashkë kombin tonë.
Postimi i plotë:
“Si je, Tan? Po ndodh gjë aty lart? Mbërrin vallë zhurma nga këtu poshtë? Ndoshta jo… Më mirë jo!
E mban mend kur krijove Digitalb? Duke nxituar, vrapuar, shpesh përpara ligjit, me ëndrrën e madhe për të bashkuar shqiptarët kudo që janë – në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, Greqi, Itali, Gjermani, Amerikë, Kanada…
Të gjithë, përmes gjuhës shqipe. Të lidhur e të bashkuar nga ajo që na përkufizon më shumë se çdo gjë tjetër: gjuha jonë.
A e di që ia dole? Bashkimi ndodhi! Përmes krijesës tënde vizionare dhe moderne, përmes teknologjisë, përmes njerëzve që e mbajtën këtë ëndërr gjallë. Ti e bëre gjuhën shqipe të ndjehet në çdo shtëpi shqiptari, kudo në botë”./M.K-dritare.net

















