Mjeku shqiptar në Gjermani: Nëse dua të vij në Shqipëri të kontribuoj për pandeminë, ku të trokas, te roja Infektivit?
Dritare.net

I ftuar në “Shqip Show" nga Rudina Xhunga, në Dritare Tv, Drilon Çupi, specialist i mjekësisë interne dhe urgjencës në Gjermani, ka folur për faktin se duhet të ketë një sistem të posaçëm për të tërhequr të gjithë specialistët që duan të kthehen për të dhënë kontributin e tyre në Shqipëri. Sipas tij, është koha e duhur që personeli shëndetësor të tregojë anën humanitare.
Drilon Çupi: Qeveria ka bërë një Ministri Diaspore. Është një nga arritjet më të mëdhaja që është bërë këto tridhjetë vitet e fundit, sepse duke ditur që potenciali më i madh i Shqipërisë, potencial ekonomik, profesional, kulturor, arsimor, ndodhet jashtë Shqipërisë, krijimi i kësaj ministrie ka qenë një nga frytet më të mëdhaja dhe një nga vizionet më të mëdhaja që është bërë për këtë qeveri. Kjo ka qenë teorikisht perfekte. Problemi është që edhe në rastin e pandemisë, praktikisht ishte kjo ministri që mund të krijonte urat lidhëse midis nesh dhe strukturave përkatëse vendimmarrëse në Shqipëri. Për shembull, të bëj një pyetje të thjeshtë, në qoftë se unë kam dëshirë të kontribuoj në vendin tim, po them për një periudhë kohore një muaj që të shpërndaj eksperiencën time që kam tani në Gjermani për një vit. Dua të shkoj në Shqipëri dhe të jap kontributin tim, misionin tim falas, pa pagesë, pa status profesional. Unë nuk di ku të drejtohem!
Rudina Xhunga: Je drejtuar në vendin e duhur, je drejtuar në një dritare! Do e bëje ti këtë apo po e thua tani?
Drilon Çupi: Ka rëndësi sistemi, që do të thotë se duke qenë në pandemi, krijohen forca në njerëz dhe infrastrukturore. Po të shkoni në Afrikë apo në Indi, ka organizata që që veprojnë në rrugë zyrtare, për shembull nëse unë dua të shkoj një javë të jap kontributin tim si mjek në Indi apo në një vend më të varfër të botës të Afrikës, ekzistojnë nga vendimmarrësit rrugë zyrtare ku mund të kandidoj, të regjistrohem, të marr gjithë informacionet e duhura në lidhje me atë vend, për punën që unë bëj dhe më pas. Kjo është një thirrje, meqë jemi këtu te dritarja,e kam menduar në fakt vetë personalisht, gjatë gjithë periudhës së pandemisë “që nëse unë shkoj në një vend të Amerikës Latine,për të dhënë një kontribut timin vullnetar, human, unë e kam kanalizimin dhe është shumë e thjeshtë që unë të shkoj në Ruandë apo Somali, sesa të shkoj në Shqipëri dhe të kontribuoj, sepse unë po të shkoj në Shqipëri, ku do të shkoj, të shkoj te spitali Infektiv, ti bie derës, ti them rojës që është te dera “dëgjo, unë jam mjek, kam dëshirë, vullnetar, falas, të kontribuoj”, domethënë nuk ekziston një rrugë formale.
Rudina Xhunga: Të kuptoj shumë mirë dhe kjo që sapo the është trokitja e duhur sepse pikërisht sot kryeministri Rama ka folur në fushatën e tij, për faktin që Shqipëria është e ardhmja, emigracioni është e kaluara. Ai ftoi të gjithë ata që janë jashtë që të vijnë të kontribuojnë në një Shqipëri të përbashkët. Në fakt, kjo do të mbetet një fjalë në letër, në rast se ty nuk të sqarojnë për sistemin. Sistemi që të ndihmon ty dhe të tjerë si ty, që duan të kontribuojnë në atdhe.
Drilon Çupi: Për personelin mjekësor është koha e duhur për të treguar anën humanitare./M.M-dritare.net