Brezi i Fasadave: Kronika e një ankthi që nuk e shëruam kurrë
Dritare.net

Nga Raelva Shabanaj
Ne nuk kemi lindur në një kohë, kemi lindur në një ndërprerje. Jemi brezi që e hapi sytë në muzgun e një diktature që vdiste dhe, në vend të fëmijërisë, na u dhurua një teatër absurdi ku humbja ishte e vetmja konstante.
1991-shi nuk ishte një festë, ishte një përplasje me një boshllëk ku prindërit tanë u kthyen në kavie sistemesh, duke na lënë të kuptonim se toka nën këmbë ishte komplet moçal.
Pastaj erdhi Otranto, një përkujtim i përgjakshëm se liria për ne nuk ishte një e drejtë, por një bast me vdekjen.
1997-ta ishte vetëm konfirmimi i fundit se shteti ishte një farsë që mund të shpërbëhej brenda një nate, duke na lënë në duar armët e një kaosi që nuk e kishim kërkuar, por që na detyroi të rriteshim para kohe, duke mësuar se në këtë vend, jeta e njeriut vlen sa një fishek.
Ky ishte vetëm fillimi i një shpërthimi të përjetshëm.
Njësoj si Gërdeci, i cili nuk ishte thjesht një shpërthim; ishte momenti kur e kuptuam se jemi shifra të shkëmbyeshme në tregun e korrupsionit, ndërsa mediat, ato “altarë” të së vërtetës, u blenë për të na shitur lajme të rreme, duke na veshur sytë me një mjegull ku gënjeshtra u kthye në fe.
Jemi brezi që u rrit duke konsumuar cinizmin si bukë të përditshme.
Pasiguria jonë kronike u kthye në një mall tregu; shpenzuam gjithçka që kishim për të ndërtuar fasada.
Kemi mbushur çdo boshllëk me operacione plastike, me veshje që shkëlqejnë, me makina që zhurmojnë më shumë se frikërat tona, duke u përpjekur t’i pudrosim plagët që nuk kemi patur kurrë mundësinë t’i mjekojmë.
Ne jemi brezi që e ka paguar shtrenjtë këtë “normalitet” të fasadës, duke u shndërruar në skulptura të bukura me shpirtra të menderosur.
Kjo luftë me pasqyrën është vetëm beteja jonë e fundit kundër një demoni që e kemi ngjitur pas vetes që kur ishim fëmijë: ndjesia se sado të shkëlqejmë jashtë, brenda nesh gjithçka është ende në rrënoja.
Kemi luftuar me dhëmbë për të ndërtuar një jetë që të duket e suksesshme, ndërkohë që busulla jonë e brendshme është thyer aq herë sa tashmë kemi humbur çdo drejtim.
Jemi viktima të një sistemi që na vuri fajin për dështimet e tij, e ne, në vend që të kërkonim shërim, zgjodhëm të maskonim rrënojat, duke u shndërruar në monumente të një dhimbjeje që nuk guxojmë ta pranojmë.
Kjo është tragjedia jonë e heshtur: kemi blerë çdo gjë që mund të blihej për të na bërë të ndiheshim të plotë, por në fund të ditës, kur dritat e fasadës fiken, mbetemi vetëm me një ankth që asnjë firmë veshjeje apo bisturi nuk mund ta shërojë.
Jemi brezi që sakrifikoi vërtetësinë për pamjen, sepse ishte e vetmja mënyrë për të mos pranuar se, pavarësisht çdo fitoreje në CV apo çdo transformimi në fytyrë, ne mbetemi ata fëmijët e 1991-shit, që ende presin me ankth të dëgjojnë nëse toka do të pushojë së lëkunduri, ose nëse gjithçka që kemi ndërtuar do të shpërthejë sërish, ashtu siç ndodhi atëherë, pa paralajmërim, pa arsye dhe mbi të gjitha, pa pasur asnjë faj./dritare.net