Na ndiqni edhe në

Shëndet

Si ta ulni temperaturën e trupit? Këshillat e ekspertëve për të shmangur goditjen nga i nxehti


Teksa vera ka hyrë në kulmin e saj, shumë vende të botës po përballen me temperatura rekord. Qytete të mëdha në Azi, Evropë dhe SHBA kanë regjistruar valë të forta të të nxehtit, duke rritur shqetësimet për pasojat që moti ekstrem mund të ketë në shëndetin e njerëzve.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 489 mijë persona humbin jetën çdo vit në mbarë botën si pasojë e temperaturave të larta. Vapa ekstreme jo vetëm që shkakton probleme të drejtpërdrejta shëndetësore, por përkeqëson edhe sëmundje të tjera si problemet e zemrës, goditjet në tru, astma, sëmundjet e frymëmarrjes dhe insuficienca renale.

Kush është më i rrezikuar?
Ekspertët thonë se disa kategori janë më të ndjeshme ndaj vapës së fortë. Të moshuarit mbi 65 vjeç, fëmijët e vegjël, gratë shtatzëna, personat që marrin medikamente të caktuara, punëtorët që punojnë në ambiente të hapura dhe sportistët janë më të rrezikuar nga lodhja dhe goditja nga nxehtësia.

Megjithatë, specialistët paralajmërojnë se askush nuk është plotësisht i mbrojtur.

“Shumë njerëz e kuptojnë se temperaturat ekstreme janë të rrezikshme, por nuk e mendojnë se kjo mund t’u ndodhë edhe atyre. Disa janë më të rrezikuar se të tjerët, por të gjithë mund të preken nga simptomat dhe sëmundjet e lidhura me vapën,” shprehet Gregory Wellenius, drejtor i Qendrës për Klimën dhe Shëndetin në Universitetin e Bostonit.

Si të ulni temperaturën e trupit në mënyrë të sigurt?
Nëse qëndroni për një kohë të gjatë në diell, duhet të jeni të vëmendshëm ndaj shenjave paralajmëruese si marramendja, konfuzioni, dobësia fizike apo ngërçet muskulore. Këto simptoma mund të jenë tregues të lodhjes nga nxehtësia, e cila, nëse nuk trajtohet, mund të çojë në goditje termike.

Ekspertët këshillojnë që hapi i parë dhe më i rëndësishëm është largimi nga burimi i nxehtësisë.

“Nëse jeni në diell, kaloni menjëherë në hije. Nëse është e mundur, futuni në një ambient me ajër të kondicionuar”, rekomandon Wellenius.

Për të ftohur trupin, specialistët sugjerojnë vendosjen e kompresave të ftohta mbi lëkurë ose lagien e rrobave me ujë. Një dush i freskët ose me ujë të vakët mund të ndihmojë, por uji shumë i ftohtë nuk rekomandohet.

“Nëse uji është tepër i ftohtë, organizmi mund të reagojë duke mbajtur më shumë nxehtësi në pjesën qendrore të trupit”, shpjegon Brian Bossak, profesor i shëndetit publik në College of Charleston.

Kujdes me ventilatorët
Edhe përdorimi i ventilatorëve kërkon kujdes. Kur temperaturat kalojnë 35 gradë Celsius (95°F), ventilatori mund të ketë efekt të kundërt.

“Në disa raste, ventilatori vetëm sa lëviz ajrin e nxehtë drejt trupit dhe mund të përshpejtojë rritjen e temperaturës së brendshme”, paralajmëron Bossak.

Çfarë duhet të pini?
Mjekët këshillojnë konsumimin e sa më shumë ujit dhe shmangien e alkoolit dhe kafesë, të cilat mund të shkaktojnë dehidrim.

Shumë njerëz zgjedhin pijet sportive, por ekspertët theksojnë se për shumicën e rasteve uji mbetet alternativa më e mirë.

“Përveç sportistëve që ushtrohen për më shumë se një orë në temperatura të larta, shumica e njerëzve kanë nevojë vetëm për ujë për të qëndruar të hidratuar”, thotë Wellenius.

Ushqimet që duhen konsumuar gjatë vapës
Frutat me përmbajtje të lartë uji, si shalqiri, portokalli apo pjepri, janë zgjedhje të mira gjatë ditëve të nxehta. Gjithashtu rekomandohen ushqime të lehta dhe proteina të ftohta, si vezët e ziera, sallata me ton apo pula e pjekur.

Nga ana tjetër, ekspertët këshillojnë shmangien e ushqimeve të rënda dhe të yndyrshme, si hamburgerët, picat apo gatimet e skuqura, të cilat e vështirësojnë procesin e tretjes dhe rrisin temperaturën e trupit.

A duhen përdorur qetësuesit kundër dhimbjeve?
Specialistët paralajmërojnë që gjatë një episodi të lodhjes nga nxehtësia nuk duhet të merren medikamente kundër dhimbjes pa këshillën e mjekut, pasi ato mund të rëndojnë punën e mëlçisë dhe veshkave.

“Qëllimi kryesor nuk është të trajtohen simptomat, por të eliminohet shkaku, pra ekspozimi ndaj nxehtësisë”, thekson Wellenius.

Parandalimi, arma më e mirë
Ekspertët bien dakord se mënyra më efektive për të shmangur problemet shëndetësore gjatë valëve të të nxehtit është parandalimi. Aktivitetet fizike dhe punët në ambient të hapur duhen planifikuar në orët më të freskëta të ditës, ndërsa pushimet në hije dhe konsumimi i vazhdueshëm i ujit janë të domosdoshme.

“Njerëzit kërkojnë gjithmonë një zgjidhje magjike, por ne e kemi pasur prej kohësh: qëndroni të freskët dhe shmangni ekspozimin e panevojshëm ndaj vapës”, përfundon Wellenius./dritare.net