Na ndiqni edhe në

Aktualitet

Prokuroria e Elbasanit nis hetimet për shembjen e aksit Librazhd-Pogradec

Prokuroria e Elbasanit nis hetimet për shembjen e aksit Librazhd-Pogradec

Prokuroria e Elbasanit ka nisur me iniciativë hetimet lidhur me dëmtimet që prej ditës së djeshme, kanë shkaktuar bllokimin e plotë të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd–Pogradec. Ky procedim penal është regjistruar për veprat penale: “Shpërdorim detyre”, “Shkelje e barazisë në tendera ose ankande publike”, “Shkatërrim të rrugës” dhe “Ndotje të ajrit, ujit ose tokës”. Për hetimin është formuar një grup i posaçëm hetimor.

Për shkak të dëmtimeve të konsiderueshme, Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka vendosur bllokimin e plotë të qarkullimit në këtë aks, duke përfshirë jo vetëm automjetet, por edhe këmbësorët.

Prej më shumë se 24 orësh, lidhja e vetme nga Tirana drejt Korçës bëhet përmes aksit Maliq–Moglicë–Gramsh, i cili kalon me vështirësi për shkak të infrastrukturës së amortizuar, duke zgjatur udhëtimin me rreth një orë.

Ndërkohë, prej dy ditësh qarkullimi kryhej me vështirësi në një korsi, por sot është mbyllur plotësisht për shkak të përkeqësimit të situatës dhe zhvendosjes së trupit të rrugës.

ARRSH u bën thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin alternativat: rrugën Maliq–Lozhan–Strelc–Gramsh–Elbasan dhe Qafthanë–Pogradec–Korçë–Leskovik–Përmet–Tepelenë. Për mjetet me tonazh të rëndë, rekomandohen rrugët përmes Pikës Doganore Qafë Thanë drejt Maqedonisë dhe Pikës Doganore Bllatë–Rruga e Arbërit./K.C/dritare.net