Misteri i Tunelit të Porto Palermos! Dokumentar nga Robert Hackman!
Dritare.net
The mystery of Porto Palermo Tunnel! Ky është një dokumentar i realizuar nga fotografi dhe udhëtari britanik Robert Hackman me DritareTV. Me Porto Palermon ne çelim ciklin e dokumentarëve të fotoreporterit anglez, kushtuar historisë dhe turizmit në Shqipëri. Në këto dokumentare do t'ju sjellim Shqipërinë në sytë e fotoreporterit anglez për t'ju treguar të pazakontën dhe uniken, vendet e bukurisë piktoreske dhe njerëzit e saj, disa histori personale që do shpjegojnë dhe zbërthejnë një pjesë të historisë së pasur të Shqipërisë.
Në episodin e parë fotoreporteri ju tregon për misterin e Tunelit të Porto Palermos.
Robert Hackam hyri në bazën ushtarake të Pashalimanit në Porto Palermo për të treguar historitë që fshihen në këtë bazë, që u bë vendstrehimi i 12 nëndetëseve të Bashkimit Sovjetik.
Pas shkëputjes nga BRSS-ja në Porto Palermo mbeti vetëm një nëndetëse, 8 i morën rusët, tre u vendosën më në veri të Porto Palermos dhe u çuan për skrap. Ndërsa baza ushtarake është ende funksionale sot e kësaj dite, thotë fotoreporteri, ambienti rreth saj është fantastik. Ndaj thotë fotoreporteri, nëse keni qenë pjesë e ushtrisë do të ishte një kënaqësi e madhe të qëndronit në plazhin afër bazës ushtarake.
“Ishte një udhëtim i këndshëm nga Vlora, përmes qafës së Llogarasë e mandej përgjatë vijës bregdetare. Tani kemi mbërritur në Porto Palermo e cila ndodhet në Jug të Shqipërisë, në breg të detit Jon. Është e mbrojtur nga dy shkëmbinj të mëdhenj dhe kodra të larta. Në kohët e shkuara ky gji njihej si Panormus, por mori emrin e ri Porto Palermo gjatë periudhës bizantine.
Këtu poshtë është baza e nëndetëseve dhe pas 20 vjetësh unë do të mund të futem brenda. Jam shumë i lumtur për këtë. Dritare TV ka marrë leje për t’u futur dhe xhiruar këtë dokumentar. Më tej ne do të shkojmë në Kalanë e Ali Pashë Tepelenës, e cila ndodhet në mes të këtij gjiri.
Lajmi i mirë është që ne arritëm të futemi në bazën ushtarake nga porta kryesore sigurisht me dokumentacionin e duhur. Por lajmi i keq është që sot tuneli është i mbyllur dhe ne nuk mund të futemi të xhirojmë. Këto janë aktivitete normale për ushtrinë dhe ne nuk mund të ndërhyjmë në planet e tyre. Por lajmi i mirë është që ne jemi në bazë, jemi ngjitur me tunelin dhe këtu dua të ndalem të tregoj pak histori.
Në 1944-ën, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, komunistët morën pushtetin në Shqipëri, nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, i cili ishte një diktator i pamëshirshëm. Kjo qeveri u formua me mbështetjen e jugosllavëve dhe gjithashtu të Bashkimit Sovjetik. Por kjo marrëdhënie me këto dy aleatë ishte shumë e shkurtër. Enver Hoxha i ndërpreu lidhjet me jugosllavët disa vjet më vonë sepse ai ishte shumë i shqetësuar se Shqipëria do të aneksohej nga jugosllavët. Kështu që ai i ndërpreu marrëdhëniet me ta në vitin 1948.
Ndërsa me Nikita Hrushovin dhe Bashkimin Sovjetik i ndërpreu marrëdhëniet kur Hrushovi miratoi revizionizmin komunist, një qasje më pak e ashpër si një mjet për të bashkëjetuar në një botë të përzier politike.
Enver Hoxha mendonte se ai po tregohej shumë i butë dhe revizionist duke u larguar nga komunizmi i fortë marksist-leninist që kishte adoptuar. Kështu që ai nisi të ndërpresë marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik.
Kur Bashkimi Sovjetik pushtoi Çekosllovakinë në vitin 1968, Shqipëria u tërhoq nga Pakti i Varshavës. Më pas për fatin e tij të mirë Republika Popullore e Kinës ishte një litar shpëtimi për Shqipërinë, pasi kishin nevojë për një aleat për t'i përfaqësuar në Kombet e Bashkuara.
Përfaqësuesi i kinezëve në Kombet e Bashkuara ishte Tajvani. Republika Popullore e Kinës nuk ishte e përfaqësuar, ndaj duke mbështetur Enver Hoxhën ata synonin që udhëheqësi shqiptar të ishte zëri i tyre. Kjo marrëdhënie ishte efektive për disa vite deri sa Enver Hoxha dyshoi se edhe Republika Popullore e Kinës po bëhej revizioniste. Në vitin 1971 presidenti amerikan Richard Nixon vizitoi Kinën dhe në 1977-ën Kina i bëri një ftesë Titos të vizitojë vendin. Kështu Enver Hoxha vendosi të ndërpresë marrëdhëniet me Kinën dhe mbeti i vetëm. Ai u përpoq ta bënte Shqipërinë një vend të pavarur, por kjo u kthye në një fatkeqësi për gjithë vendin. Enver Hoxha ishte shumë paranojak nga pushtimi i vendeve të tjera komuniste.
Kështu Enver Hoxha nisi në viti 1970 të ndërtojë bunkerë në të gjithë Shqipërinë. Ai ndërtoi 175 mijë bunkerë dhe ky bunker për nëndetëset është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri. Është shumë i pazakontë, por për fat të keq ne nuk mund të hyjmë, por mund të filmojmë dhe shikojmë zonën përreth. Shkojmë!
Ky tunel është 650 metra i gjatë me bazë të fortë inxhinierike. Tuneli ka dy porta, njëra në hyrje ndërsa tjetra në detin Jon.
Kështu që nëndetëset ose anijet e shpejta mund të vinin në këtë anë të gjirit, të furnizoheshin me karburant e municione dhe më pas të dilnin në anën tjetër. Shumë efektive si metodë, por që nuk u përdor kurrë.
Në vitin 1955 kur Shqipëria iu bashkua Paktit të Varshavës, Bashkimi Sovjetik, stacionoi këtu 12 nëndetëse me qëllim për të kontrolluar NATO-n përmes Mesdheut. Kjo funksionoi për pak vite derisa Enver Hoxha u shqetësua për shndërrimin e Hrushovit në revizionist dhe i detyroi sovjetikët të largohen nga Shqipëria. Ata morën 8 nga 12 nëndetëset dhe këtu mbetën vetëm katër.
Është e vështirë të gjesh pjesë të nëndetëseve dhe me infrastrukturën e shkatërruar, këto anije janë bërë pothuajse të padobishme.
Njëra është e vendosur në Vlorë, në Pashaliman, në bazën Naval, ndërsa të tjerat janë çuar për skrap. Kjo bazë ushtarake është përdorur për një kohë të shkurtër bashkë me nëndetëset. Ato vinin nga kjo anë dhe dilnin në anën tjetër. Enver Hoxha ishte i shqetësuar për afërsinë e NATO-s me kufirin detar shqiptar. Vetëm disa milje larg nga këtu ndodhi një incident menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore me marinën britanike. Marina shqiptare qëlloi mbi marinën britanike sepse ata ndodheshin shumë afër kufirit shqiptar. Marina shqiptare gjithashtu minoi kanalin duke hedhur në erë dy anije britanike. Si pasojë shumë marinarë vdiqën.
Pra, kjo afërsi në kufi me forcat e NATO-s ka përcaktuar në një farë mënyre që kjo bazë të ndërtohej këtu. Veçanërisht për mjetet e shpejta dhe për nëndetëset ishte një parandalim për ta mbajtur NATO-n larg kufirit.
Ambienti rreth kësaj baze është fantastik. Të ulesh m’u buzë këtij gjiri me ujë të pastër është e mrekullueshme. Nëse keni qenë pjesë e ushtrisë do të ishte një kënaqësi e madhe të qëndronit këtu në plazh sepse është ende një bazë ushtarake funksionale.
Shumë prej tyre vijnë e vizitojnë akoma. Ne kemi marrë leje për të xhiruar sot. Kështu që mos u përpiqni të hyni në këtë zonë pa leje sepse i gjithë territori ruhet përmes rojeve. Këto dyer të mëdha synonin të ndalonin çdo formë sulmi. Janë dy dyer të mëdha prej hekuri në të dyja anët e tunelit. Brenda tunelit kishte edhe reparte për mirëmbajtjen e nëndetëseve dhe anijeve. Ndaj shumë njerëz qëndronin këtu gjatë Luftës së Ftohtë. Siç mund ta shihni ende sot janë vendosur disa mjete të shpejta ushtarake. Uji është i mrekullueshëm. Ka natyrisht një kanal të thellë për të lejuar hyrjen e nëndetëseve. Po shikoj dhe peshq blu që notojnë këtu përreth. Sigurisht, ata nuk kanë nevojë për leje. Është një strukturë e madhe dhe një arritje e madhe inxhinierike për të ndërtuar 650 metra tunel nën këtë shkëmb.
Në hyrje të tunelit janë dy dyer gjigande betoni. Në disa nga bunkerët e artilerisë që gjen nëpër Shqipëri kanë dyer betoni, por këto janë shumë të mëdha.
Është si një përzierje mes të kaluarës distopike dhe The Lord of the Rings (film).
Marrëdhëniet midis dy vendeve filluan të prishen dhe më pas ishte shumë e vështirë të ruhej një komunitet paqësor dhe disiplina në bordin e nëndetëseve. Kur marrëdhëniet u prishën dhe Enver Hoxha i detyroi sovjetikët të largoheshin nga Shqipëria, u bë shumë e prekshme dhe u nxorën mjaft armë për t'i bërë ata të largoheshin. Por ata morën me vete tetë nëndetëse dhe i lanë katër të tjerat në Pashaliman dhe u vendosën këtu për një kohë të shkurtër. Pra, kjo bazë nuk është përdorur kurrë aq shumë nga komunistët, sepse ata kishin vetëm katër nëndetëse dhe vendosën t'i stacionojnë më në veri. Por sot ajo është ende nën drejtimin e qeverisë shqiptare dhe ende një bazë ushtarake.
Por ky është një gji i mrekullueshëm për të ardhur dhe për të notuar, ka disa restorante të bukura dhe akomodim.”, tregon gazetari dhe fotoreporteri anglez Robert Hackman ndërsa ju fton të gjithëve ta vizitoni zonën, për të njohur më shumë historinë e Shqipërisë./K.C/dritare.net