Na ndiqni edhe në

Shëndet

A ka ushqime që e qetësojnë dhimbjen kronike? Po, thonë ekspertët. Ja cilat janë!

A ka ushqime që e qetësojnë dhimbjen kronike? Po, thonë

Dhimbja kronike, veçanërisht ajo e kockave dhe muskujve, është një problem që prek miliona njerëz dhe kufizon lëvizjen, punën dhe jetën e përditshme. Deri tani, këshilla kryesore e mjekëve ishte humbja e peshës, pasi më pak kilogramë do të thotë më pak presion mbi nyje. Por një studim i ri nga Universiteti i Australisë së Jugut zbulon se edhe cilësia e ushqimit ka një rol të madh.

Në kërkimin e botuar në European Journal of Nutrition, morën pjesë 104 të rritur mbipeshë, nga 25 deri në 65 vjeç. Pjesëmarrësit ndoqën për tre muaj një dietë të strukturuar: 30% më pak kalori, më shumë fruta, perime, drithëra integrale dhe proteina të dobëta, si dhe më pak ushqime të përpunuara, sheqer dhe alkool.

Rezultatet ishin mbresëlënëse: mesatarisht ata humbën rreth 7 kilogramë dhe dhimbjet kronike u ulën ndjeshëm. Në fillim, 1 në 2 persona raportonte dhimbje të vazhdueshme, ndërsa në fund të studimit vetëm 24% vazhdonin të kishin shqetësime dhe edhe ato ishin më të lehta.

Ajo që surprizoi ekspertët është se dhimbja nuk u zbut vetëm falë humbjes së peshës, por edhe falë përmirësimit të cilësisë së ushqimit. Sipas studiuesve, kjo lidhet me dy faktorë kryesorë:

Ulja e inflamacionit, pasi frutat, perimet dhe drithërat integrale përmbajnë antioksidantë dhe lëndë ushqyese që qetësojnë trupin.
Ndikimi në sistemin nervor, ku ushqyes të caktuar mund të ndryshojnë mënyrën se si truri “lexon” sinjalet e dhimbjes.
Edhe pse nevojiten kërkime të tjera për ta konfirmuar plotësisht, mesazhi është i qartë: një dietë e shëndetshme, e pasur me ushqime natyrale dhe e varfër në produkte të përpunuara, mund të bëhet një armë e fuqishme në luftën kundër dhimbjes kronike.

Ushqimet më të dobishme janë: frutat, perimet, drithërat integrale dhe proteinat e dobëta./K.C/dritare.net