Arkivi i fshehur i Ali Pashës: 80 deve me dokumente që ndryshojnë historinë
Dritare.net

Studiuesi Irakli Koçollari ka sjellë në vëmendje një sërë faktesh dhe dokumentesh të rralla mbi figurën e Ali Pashë Tepelenës, duke theksuar se ai ishte një nga drejtuesit e parë që krijoi një sistem të mirëfilltë protokolli dhe ruajti korrespondencën e tij zyrtare.
Sipas Koçollarit, Ali Pasha ishte ndër figurat e para në rajon që ngriti një “zyrë protokolli”, ku administrohej dhe arkivohej çdo letër, marrëveshje dhe komunikim diplomatik. Ky fond dokumentesh, sipas tij, përbën një pasuri unike historike që dëshmon nivelin e organizimit të pashait të Janinës.
Ai shpjegon se pas vrasjes së Ali Pashës në vitin 1822, forcat osmane sekuestruan të gjithë arkivin e tij, së bashku me pasuritë dhe bizhuteritë, duke transportuar gjithçka drejt Stambollit me dhjetëra karvane.
“U mor i gjithë dokumentacioni, jo vetëm pasuria. Flitet për rreth 80 deve vetëm me dokumente dhe materiale arkivore,” u shpreh studiuesi.
Koçollari thekson se ky arkiv ndodhet ende në Turqi dhe është ruajtur e analizuar me kujdes, pasi përmban marrëveshje sekrete të Ali Pashës me fuqi të ndryshme evropiane, të cilat në atë kohë cenonin drejtpërdrejt interesat e Portës së Lartë.
Ai shton se një pjesë e këtyre dokumenteve është rikthyer në qarkullim më vonë në mënyrë të fragmentuar. Sipas tij, gjatë konfliktit greko-turk në vitin 1922, disa materiale të arkivit të Ali Pashës u morën dhe u zhvendosën në mënyra të ndryshme, përmes individëve që kishin akses në fondet osmane.
Në intervistë, Koçollari thekson se ai vetë ka hasur dhe përkthyer dokumente në greqisht që lidhen me këtë arkiv, duke argumentuar se ato tregojnë një nivel të lartë administrimi dhe përdorimi të gjuhëve në korrespondencën e pashait.
Ai shton se në disa prej shkresave shfaqen edhe elemente të gjuhës shqipe, çka sipas tij dëshmon përdorimin praktik të saj në komunikimet e përditshme të administratës së Ali Pashës.
Studiuesi përfundon se dokumentet e Ali Pashës përbëjnë një burim të jashtëzakonshëm historik që ndihmon në rishikimin e figurës së tij, jo vetëm si personazh politik, por edhe si administrator që krijoi një strukturë të avancuar shtetërore për kohën e tij./dritare.net

