
Nga Mero Baze
Paradoksi i parë i protestës është diferenca mes atyre që janë në shesh dhe atyre që organizojnë protestën. Pas bërjes publike të grupit organizator, shikohet qartë se ata që janë në shesh, janë shumë më lart si nga pikëpamja kulturore, por dhe nga personaliteti, se ata që kanë marrë frenat e organizimit të protestës dhe përdorimit të saj.
Kjo tregon se protesta nuk ka zgjedhur përfaqësuesit e saj në krye të organizimit, por një grup organizatorësh kanë zgjedhur të privatizojnë protestën për llogari të tyre. Dhe ky paradoks prodhon pastaj gjithë anomalitë e tjera të protestës, gjuhën linçuese, psikopatët që marrin mikrofonin, broçkullat që këpusin duke i quajtur ide, keqpërdorimet fetare dhe deri tek deliret në emër të popullit.
Duke zgjedhur një grup organizatorësh nën nivelin e protestuesve, i vetmi shpjegim është që ose organizatorët e vërtetë duan të përdorin një listë mediokrish për t’i flakur kur të mbarojnë punë, ose askush nuk merr përsipër t’i vërë emrin e vet një proteste pa qenë të sigurt për rezultatin e saj. Në të dy rastet ky standard i grupit organizator do jetë një pikë referimi për protestën sa herë të themi që “ishte historike”. Budallëku shpeshherë është gjëja më historike në këtë vend.
Paradoksi i dytë i protestës është që zemra e protestës është Partia Demokratike dhe opozitarët e përhershëm të këtij vendi që nuk duan t’ia dinë as se thotë dikush “Berisha në burg”, as se protestën e kanë kapur të tjerët. Ata janë pjesa më e vendosur e protestës, kurse konkretisht protesta punon kundër PD dhe në favor të një të majte të re radikale, ku përzihen gjithë deliret e marksistëve, ambientalistëve dhe LGBTQ-ve si në gjithë botën, dhe një partie islamike antisemite që edhe pse nuk formalizohet ekziston dhe funksionon si një detashment ilegal në politikën e Shqipërisë duke mbështetur herë një krah e herë tjetrin sipas udhëzimeve që marrin.
Nuk është se kam shumë keqardhje që “PD po mban sheshin, kurse Qorri po ha përsheshin”, por është interesante të shikosh se si të majtët radikalë në shesh, sjellin një neokomunist italian në protestë, që të tregojnë se mbështetja evropiane për protestën i përket të majtës ekstreme neokomuniste. Mund të sillte dhe PD ndonjë deputet gjerman nga ata që i çon në zyrë Berishës. Jo se do ta bënte protestën më të madhe, por të paktën do t’i jepte PD shpërblimin për atë që po bën në mbushjen e sheshit. Se kështu po punojnë si argatë të së majtës radikale.
Paradoksi i tretë janë këta socialistët e zemëruar të Edi Ramës, apo të zemëruarit me Edi Ramën, si në parti dhe jashtë saj, që janë bërë idhtarë të mëdhenj të protestës.
Që të jenë kundër Edi Ramës janë brenda lirisë së tyre dhe mund të mos i lënë kusur pa bërë politikisht, por sjellja e tyre si pronarë të protestës për t’i treguar Ramës se tani kanë dhe këta ushtrinë e tyre që do mundin Ramën është qesharake. Nuk e kam fjalën për socialistët e vjetër që kanë keqkuptimin se kjo situatë zgjidhet duke rikthyer xhaketat e 97 në pushtet. Ata e kanë si rast t’i tregojnë Ramës që jemi akoma gjallë.
Protesta reale është protestë e njerëzve të papërfaqësuar nga Edi Rama dhe pushteti i tij dhe jo protestë e njerëzve që s’kanë realizuar dot aspiratat e tyre në pushtetin e Edi Ramës. Protesta nuk ka nisur të reformojë partinë Socialiste, por ka nisur si një “revolucion” kundër sistemit aktual politik, çka në fakt është një fjali që nuk e kuptojnë as ata që e thonë, e lë më këta që e adhurojnë. Por ata që janë në shesh, nuk janë të shqetësuar për karrierën e njerëzve brenda PS dhe për preferencat e Edi Ramës brenda pushtetit të tij.
Kështu që socialistët që duan të marrin hak ndaj Edi Ramës përmes protestës, më shumë ngjajnë me servilë të një pushteti të ri që mendojnë se do vijë se sa me heretikë të një pushteti të vjetër që mendojnë se do ikë. Këta janë dhe më tragjikomikët e gjithë kësaj historie./tema.net