Na ndiqni edhe në

Blog

Shënimet e javës- nga Edi Rama!

Shënimet e javës- nga Edi Rama!

Javën që kaloi zhvillova një vizitë në Jordani, i mikpritur në mënyrë shumë të veçantë nga Mbreti i Jordanisë Abdullah II, një monark i respektuar botërisht, një mik i çmuar i popullit shqiptar dhe një mik shumë i mirë i imi personalisht. Patëm iniciuar bashkërisht, një dekadë më parë Procesin e Aqabes, një nismë kuptimplotë e udhëhequr dhe fokusuar në përballjen e qartë me terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm, nën kujdesin e veçantë të Madhërisë së tij.

Në raundin e takimit të dhjetorit, Shqipëria ishte në krah të Jordanisë, duke bashkëkryesuar tryezën e madhe të udhëheqësve të komuniteteve fetare të Ballkanit, ku morën pjesë edhe udhëheqësit e komuniteteve tona fetare, gjë që do ta përsërisim, duke e zgjeruar vitin e ardhshëm, këtu në Shqipëri, së bashku me Madhërinë e Tij.

Lahuta Shqiptare, pasuri botërore e UNESCO-s!

Arti i prodhimit te lahutës, i të luajturit e të kënduarit me të, është shpallur zyrtarisht pjesë e Trashëgimisë Kulturore Botërore Jomateriale të UNESCO-s, në listën që kërkon mbrojtje urgjente. Ky është një nga sukseset më domethënëse të Ministrisë sonë të Kulturës e Turizmit, në mbrojtjen e promovimin e identitetit tonë kombëtar e kulturor.

Dosja e përgatitur sipas standardeve më të larta të UNESCO-s u dorëzua në mars 2024 dhe dua t’i falenderoj për punën të gjitha ata, që u përfshinë me pasion në këtë proces.

100-vjetori i Urdhrit të Skënderbeut

Një tjetër moment i bukur i javës, ishte 100 vjetori i Urdhrit të Skënderbeut, Urdhër i shpallur në vitin 1925 nga asokohe republikani Ahmet Zogu, një urdhër, i cili në 100 vjetorin e vet erdhi edhe si rilindje e sistemit europian shqiptar të urdhrave dhe medaljeve, një urdhër për të bashkuar në një sistem të ri europian vlerash, sa të ri edhe të hershëm tradicional, të shkuarën dhe të tashmen. Duke e përkujtuar me solemnitetin që e meritonte 100 vjetorin e Urdhrit të Skënderbeut, i cili e riintegroi Shqipërinë në konstelacionin e sistemeve europiane të urdhrave e medaljeve, duke i dhënë fund asaj shpërndarjes pa kriter e karar të teneqeve të shëmtuara, si rezultat i degradimit 80 vjeçar, fillimisht me sistemin e dekoratave sovjetike dhe pastaj me sistemin pa sistem në kaosin e dekoratave masovike po i quaj.

Jam krenar, që më në fund Shqipëria ka edhe Kancelarinë e Urdhrave dhe Medaljeve, e cila është një tjetër ngrehinë institucionale e sistemit europian të urdhërave dhe medaljeve, një shtëpi e munguar e kujtesës dhe kujdesit për vlerat e larta të qytetarisë e të shtetësisë, të mishëruara ndër urdhra e medalje, e që do të shërbejë si një muze i meritës së lartësuar, në nderim dhe vatër frymëzuese për shoqërinë e për gjeneratat e reja.

Rinia 2030- Programet e punësimit

Takimi me temën “Rinia 2030 në programet e punësimit” nuk ishte një nga ato takimet e zakonshme që hera-herës duhen bërë, por ishte një takim me të rinjtë përfitues nga programet për nxitjen e punësimit, për të cilat Shqipëria, sipas OECD, ka zënë vendin e parë në rajon dhe kjo është një gjë shumë pozitive sepse flet qartë që puna që kemi bërë gjithë këto vite për të ndërtuar një skemë shërbimesh punësimi moderne, na ka dhënë një rezultat inkurajues.

Sot kemi 7 programe që funksionojnë për të nxitur punësimin, duke mbuluar të gjitha kategoritë dhe që shkojnë nga praktikat profesionale tek formimi në vendin e punës, nga vetëpunësimi tek riintegrimi social.

Një tjetër e dhënë që është mirë ta dini dhe ta dinë të rinjtë që krejt normal janë skeptikë, janë mosbesues, janë madje indiferentë ndaj këtyre skemave dhe këtyre fjalëve, është që, vetëm brenda këtyre 5 viteve të fundit, 42 mijë të reja dhe të rinj janë punësuar përmes zyrave tona të punës dhe përmes këtyre shërbimeve dhe në këtë shifër, 7500 janë individë, që kanë përfituar pikërisht nga programet dhe sot janë në punë. Përmbi këtë strukturë që ne kemi ndërtuar vit pas viti, kemi edhe garancinë rinore europiane, e cila është pjesë e një programi gjithëeuropian, ka një model shumë të suksesshëm, zbatohet edhe në Shqipëri, falë një investimi masiv të Bashkimit Europian prej 63 milionë eurosh dhe janë 2200 vajza dhe djem, që janë si të thuash grupi i parë që po përfitojnë nga garancia rinore, objektivi i të cilës është që 60 mijë vajza dhe djem të mbështeten në të gjithë vendin dhe në të gjitha kategoritë brenda këtyre viteve të këtij mandati qeverisës që ne sapo kemi nisur, prej kësaj garancie.

Drejtuesi i ri i SPAK

Këtë javë SPAK-u zgjodhi drejtuesin e ri, i cili do të pasojë Altin Dumanin, kryeprokurorin që e ngriti institucionin në një nivel tjeter, duke e kthyer, falë forcës së shembullit të tij në radhe të parë, në një fakt konkret, historik, do të thoja pa ekzagjerim, atë që dukej një parrullë e parealizueshme, kur unë e përsërisja gjatë kohës së betejës për të kaluar reformën në drejtësi dhe më pas në rrugën e implementimit të saj, një drejtësi që nuk sheh majtas e djathtas, po vetëm drejt.

Për këtë i përcjell edhe njëherë Altin Dumanit shprehjen e respektit tim, si edhe i uroj çdo të mirë në vijim.

Ndërkohë që, kryeprokurorit të ri Klodian Braho, i uroj ta çojë SPAK-un në këtë trevjeçar të fundit të ciklit nëntëvjeçar, në një nivel tjetër për sa i takon profesionalizmit në luftën kundër krimit të organizuar, e sidomos në luftën kundër korrupsionit, e cila nuk mund të konsiderohet e përmbushur plotësisht me sukses, nga ana e atij institucioni, nëse maskohet me statistika të nxjerra nga “thesi i madh” siç quhet neni i mjegullt i shpërdorimit të detyrës - për të cilin sapo ka dalë edhe një direktive e re e BE-se – pikërisht për të reflektuar mbi shqetësime që nuk janë vetëm tonat apo me lojra mediatike te llojit Big Brother, me transkripte telefonash te nxjerra në shkelje të ligjit nga dosjet hetimore, për të cilat po ashtu BE-ja ka korniza shumë strikte ligjore. Kam shumë besim se eksperienca e gjashtë viteve, arritjet e padiskutueshme, si edhe mundësisht modestia e domosdoshme për të parë me sy vetëkritik punën e deritanishme, mund ta çojnë SPAK-un në nivelin ku duhet të jetë tre vjet nga sot.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

Gjykata Kushtetuese hoqi pezullimin e zv. Kryeministres dhe vendosi ta gjykojë çështjen në themel në fund të janarit. Në aspektin ligjor u eliminua një precedent unik në botë dhe u zmbraps nga gjykata me e lartë e vendit, një brutalitet alla shqiptarçe në interpretimin e ligjit, i cili goditi organizmin demokratik të shtetit. Ndërsa në aspektin ndërinstitucional, kjo befasi antikushtetuese dhe antidemokratike, ku një prokuror dhe një gjykatës, morën kompetencat e Kryeministrit, Presidentit, Parlamentit, duke tollovitur shtetin e duke e kthyer një proces ligjor, në një gjyq partizan jashtë kornizës së ligjit, kërkon medoemos një reflektim po kaq ndërinstitucional.

Jo thjeshtë e vetëm mbi këtë rast, po në tërësi mbi simptomat shqetësuese të ushtrimit me papërgjegjshmëri të pavarësisë së pushtetit të ri të drejtësisë, duke e bërë në, jo një rast, kurën, më të dëmshme se sa sëmundja që luftojmë bashkërisht. Kjo shkrepëtimë nuk erdhi në qiell të pastër dhe nuk erdhi as e vetme për fat të keq ose ndoshta për fat të mirë, sepse paralelisht me pezullimin antikushtetues të një ministri, u shpërfaq, këtë here, jo falë, një prokurori e një gjykatësi të vetëm, po falë dy shoqatash të gjyqtarëve të Shqipërisë, një tjetër brutalitet alla shqiptarçe, me hapjen e një gjyqi nga gjykatesit për të rritur pagat e tyre.

Po, po e dëgjuat mire, gjykatësit duan të rrisin vetë pagat e tyre.

Jo për herë të parë, fatkeqesisht, po për herë të dytë, ata duan të marrin përsëri kompetencat e qeverisë e të parlamentit, duke u treguar, jo thjeshtë të zgjedhurve, po vetë zgjedhësve, se mbi vullnetin e tyre dhe përtej kufijve kushtetues mes pushteteve, qëndrojnë ata, togat e zeza të Shqiperisë, me pushtetin suprem të çekiçit të drejtësisë të pavarësuar nga politika tanimë. Dhe atë çekiç që Republika ua ka besuar për interesin e saj të lartë të drejtesisë së barabartë për të gjithë, ata mund ta përdorin kur të duan për të hapur me dhunë arkën e buxhetit të shtetit, e për t’ja rritur rrogat vetes, dhe sa përkatësisht 1600 euro plus në muaj për gjykatat e prokuroritë e zakonshme dhe 3100 euro plus në muaj për Gjykatën Speciale e për Spak-un.

Një shprehje e urtë italiane thotë “due indizzi non fanno una prova”, dy indicie nuk përbejnë një provë - çka sot ne fakt po të shohësh se si fajësohet njeriu në mexhelisin tonë politik e mediatik, përbejnë, jo një provë, po dy dënime. Por unë, nuk do ta ndjek kurresesi logjikën e mbrapshtë të dënimit me indicie, as në këtë rast, po do të mbetem tek bindja se këto dy indicie tejet shqetësuese nuk provojnë se protagonistëve të pavarësisë së drejtësisë u ka marrë koka erë dhe u është mbushur mendja se ata janë shteti, ligji e drejtësia, si puna e ca trimoshave të BKH-së, për të cilët kam dëgjuar shumë çudira, po kishin ardhur një ditë në godinën e Këshillit të Ministrave, e nuk donin ta linin patllaken tek dera sipas rregullores së sigurisë së lartë, të Gardës së Republikës.

Pra, nuk dua kurresesi të them se ferrat e mendësive e sëmundjeve të vjetra, e kanë marrë uratën e drejtësisë së re, por dua të ndaj me të gjithë bindjen se ka ardhur koha e një reflektimi serioz, profesional dhe ndërinstitucional, për të ndarë beben e sapolindur nga ujërat e pistë, në një proces historik, ku duhet të garantojmë medoemos suksesin e Reformës në Drejtësi, duhet të garantojmë pavarësinë e gjyqësorit, po ku po ashtu, nuk mundet kurrësesi të lejojmë medoemos që kura të bëhet problem më i madh se sëmundja, duke rrezikuar liritë, të drejtat dhe frymëmarrjen e administratës e të ekonomisë së vendit./dritare.net