Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Berisha dhe Salianji u përplasën ashpër për Hysen Kadinë, reagon ky i fundit!

Berisha dhe Salianji u përplasën ashpër për Hysen

Mbledhja e Kryesisë së Partisë Demokratike, e zhvilluar sot, është shoqëruar me debate dhe përplasje të forta mes kryetarit të PD-së, Sali Berisha, dhe ish-deputetit Ervin Salianji, ku në qendër të diskutimeve ka qenë edhe emri i Hysen Kadisë. Salianji i kërkoi llogari Berishës për moskandidimin e Hysen Kadisë në listat për zgjedhjet e 11 majit, pavarësisht se ai rezultoi kandidati më i votuar në Qarkun Tiranë në primaret e Partisë Demokratike.
Në këtë kontekst, Berisha ka deklaruar se ata që zhvillojnë takime jashtë agjendës zyrtare të partisë janë persona që, sipas tij, gjatë fushatës nuk kanë punuar për PD-në, por për Edi Ramën.

Ai ka shtuar se Hysen Kadia ka qenë në Shtetet e Bashkuara dhe nuk ka zhvilluar asnjë ditë fushatë, duke theksuar se disponon mesazhe që e faktojnë këtë.

Nga ana tjetër, Salianji i ka kundërshtuar këto akuza, duke deklaruar se disponon fotografi nga fshatrat e Kavajës që dëshmojnë angazhimin e Kadisë në fushatë, duke i cilësuar pretendimet e Berishës si të pavërteta.

Pas këtyre deklaratave, ka ardhur edhe reagimi publik i Hysen Kadisë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, demokrati më i votuar në Qarkun Tiranë në primaret e PD-së ka hedhur poshtë akuzat e Berishës, duke theksuar se gjatë fushatës së 11 majit ka punuar për Partinë Demokratike dhe jo për Edi Ramën. Kadiu ka publikuar foto nga takimet e tij me qytetarë gjatë fushatës, duke theksuar se aktiviteti i tij është i dokumentuar dhe publik.

“Beteja jonë nuk është me PD-në dhe demokratët, por me Edi Ramën. Çdokush që përpiqet të hedhë baltë mbi kontributin tim personal dhe të atyre që duan më të mirën për PD-në, janë të interesuar vetëm për karrigen e tyre”, shkruan Kadiu, duke shtuar se demokratët kanë nevojë për bashkim, organizim dhe riorganizim, jo për përçarje dhe krijim të ‘armiqve të brendshëm’.

Në reagimin e tij, Kadiu shprehet se kritikat dhe riorganizimi nuk i bëjnë dëm Partisë Demokratike, duke përdorur edhe metaforën se “uji i ndenjur ka nevojë për rifreskim”, një deklaratë që shihet si kritikë e drejtpërdrejtë ndaj drejtimit aktual të partisë.

Pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë, pritet të mblidhet edhe Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, i cili nuk ka zhvilluar asnjë takim që prej humbjes së thellë në zgjedhjet e 11 majit./K.C/dritare.net