A keni lobuar për firmat e PD në favor të Endrit Shabanit? Si përgjigjet Salianji
Dritare.net

Pas mbledhjes me dyer të mbyllura të Kryesisë së Partisë Demokratike, ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar ndaj akuzave se ka lobuar brenda grupit parlamentar për kandidaturën e Endrit Shabanit.
Gjatë mbledhjes, anëtarët e Kryesisë Elda Hoti dhe Blendi Himçi deklaruan se u ishte kërkuar nga Salianji që të firmosnin për Shabanin. Në reagimin e tij për mediat, Salianji i ironizoi këto pretendime, duke thënë se edhe firmat i paska hedhur ai vetë, ndonëse nuk është deputet.
“Edhe firmat i kam firmosur unë që s’jam deputet”, u shpreh Salianji me ironi.
Ai u ndal edhe te organizimi i protestave kundër qeverisë, duke deklaruar se ishte i kënaqur që vendimmarrja për protestën e 22-shit kishte shkuar në drejtimin që ai kishte kërkuar prej kohësh.
“Kam kërkuar vazhdimisht protesta dhe revoltë ndaj qeverisë për shkak të skandalit Rama–Balluku. Më vjen mirë që në katër orë pati protestë nga demokratët e pakënaqur dhe vetëm gjysmë ore ndaj Ballukut”, tha Salianji.
I pyetur nga gazetarët nëse mbledhja e Kryesisë ishte zhvilluar kundër tij, Salianji mohoi, duke theksuar se kishte pasur mendime të ndryshme.
“Çdo ndryshim vjen me sakrificë dhe përplasje. Çdo akuzë dhe çdo idiotësi do t’i përgjigjemi me fakte konkrete”, deklaroi ai.
Në lidhje me përgjegjësinë për firmat e zgjedhjes së Endrit Shabanit, Salianji tha se përgjegjësia bie mbi drejtuesit e Partisë Demokratike për paqartësinë strategjike në vendimmarrje.
“Kam folur në struktura dhe në Kryesi. Nuk dua ta zhvendos vëmendjen”, shtoi ai.
Duke iu përgjigjur akuzave se ka telefonuar për të mbledhur firmat për Shabanin, Salianji vijoi me ironi:
“Edhe luftërat punike unë i kam zhvilluar, edhe firmat për Shabanin unë i kam hedhur, që s’jam deputet.”/K.C/dritare.net

