
Administrata e presidentit Donald Trump ka nisur tërheqjen e pothuajse 30 diplomatëve karriere, përfshirë ambasadorë dhe drejtues të lartë ambasadash, si pjesë e një riformatimi të pranisë diplomatike të Shteteve të Bashkuara jashtë vendit. Qëllimi i kësaj lëvizjeje është që postet kyçe diplomatike të mbahen nga persona që mbështesin plotësisht politikat “America First” të presidentit Trump.
Sipas dy zyrtarëve të Departamentit të Shtetit, të cilët folën në kushte anonimiteti, shefat e misioneve diplomatike në të paktën 29 vende janë njoftuar javën e kaluar se mandati i tyre do të përfundojë në muajin janar.
Të gjithë këta diplomatë kishin marrë detyrat gjatë administratës së presidentit Joe Biden, por fillimisht kishin mbijetuar një valë të parë largimesh në muajt e parë të mandatit të dytë të Trump, e cila kishte në shënjestër kryesisht emërimet politike. Situata ndryshoi të mërkurën, kur ata nisën të marrin njoftime zyrtare nga Uashingtoni për largimin e tyre të afërt.
Ambasadorët shërbejnë sipas vullnetit të presidentit dhe zakonisht qëndrojnë në detyrë për tre deri në katër vjet. Zyrtarët theksuan se diplomatët e prekur nuk po humbasin vendet e punës në shërbimin e jashtëm, por do të kthehen në Uashington dhe mund të caktohen në role të tjera, nëse dëshirojnë.
Departamenti i Shtetit nuk pranoi të komentojë për numrin e saktë apo emrat e ambasadorëve të përfshirë, por mbrojti vendimin duke e cilësuar atë si “një proces standard në çdo administratë”. Sipas tij, një ambasador është përfaqësues personal i presidentit dhe është e drejta e tij të sigurojë që përfaqësuesit amerikanë jashtë vendit të promovojnë agjendën “America First”.
Afrika është kontinenti më i prekur, me largimin e ambasadorëve në 13 vende: Burundi, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Gabon, Bregu i Fildishtë, Madagaskar, Mauritius, Niger, Nigeri, Ruandë, Senegal, Somali dhe Ugandë.
Në Azi, ndryshime janë bërë në gjashtë vende: Fixhi, Laosi, Ishujt Marshall, Papua Guinea e Re, Filipinet dhe Vietnami.
Në Evropë, preken katër vende: Armenia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Sllovakia. Ndërkohë, nga Lindja e Mesme preken Algjeria dhe Egjipti; nga Azia Jugore dhe Qendrore Nepali dhe Sri Lanka; dhe nga Hemisfera Perëndimore Guatemala dhe Surinami./K.C/dritare.net