Izraeli godet fushën e gazit South Pars. Irani premton hakmarrje
Dritare.net

Irani ka paralajmëruar se do të ndërmarrë “veprime vendimtare” pas raportimeve për sulme izraelite në fushën e gazit South Pars, pjesë e fushës më të madhe të gazit natyror në botë, e operuar nga Irani dhe Katari. Mediat iraniane raportojnë se nuk ka pasur të lënduar nga sulmi, ndërsa Katari e ka cilësuar incidentin si “të rrezikshëm dhe të pakujdesshëm”. Deri tani, Izraeli nuk ka komentuar.
Ndërkohë, presidenti iranian konfirmoi se ministri i Inteligjencës Esmail Khatib u vra në një sulm gjatë natës, vetëm një ditë pas vrasjes së zv/kryetarit të sigurisë së Iranit, Ali Larijani.
Incidentet vijnë në një kohë tensioni të lartë në Lindjen e Mesme. Izraeli ka kryer një seri sulmesh në Bejrut, duke vijuar ofensivën kundër Hezbollah. Reagimet e Iranit dhe grupeve të tij aleate vazhdojnë në rajon, duke shkaktuar vdekje dhe dëme materiale: dy persona u vranë në Izrael dhe raportohet për shpërthime dhe ndërhyrje dronësh në Dubai, Katar, Kuvajt, Irak, Bahrain dhe Arabinë Saudite./K.C/dritare.net