Shefi i kundërterrorizmit në Shtëpinë e Bardhë jep dorëheqjen dhe sfidon Trump
Dritare.net

Një zyrtar i lartë i administratës së Donald Trump për kundërterrorizmin ka dhënë dorëheqjen për shkak të luftës me Iranin, duke i bërë thirrje presidentit që të “ndryshojë kurs”.
Në një letër të publikuar në rrjetin social X, drejtori i Qendrës Kombëtare Kundërterrorizmit, Joe Kent, deklaroi se Irani nuk përbënte “asnjë kërcënim të menjëhershëm” për Shtetet e Bashkuara. Ai gjithashtu pretendoi se administrata “e nisi këtë luftë për shkak të presionit nga Izraeli dhe lobet e tij të fuqishme në SHBA”.
Kent, 45 vjeç, është veteran i forcave speciale amerikane dhe i CIA-s. Bashkëshortja e tij, Shannon Kent, humbi jetën në një sulm me bombë në Siri në vitin 2019.
Shtëpia e Bardhë e ka hedhur poshtë letrën, duke deklaruar se presidenti Trump kishte “prova bindëse” se Irani po planifikonte të sulmonte i pari Shtetet e Bashkuara./K.C/dritare.net