Plani 28 pikësh për t'i dhënë fund luftës/ Ultimatumi i Trump: Pres përgjigjen e Zelenskyt deri më 27 nëntor!
Dritare.net

Donald Trump ka konfirmuar se i ka dhënë Volodymyr Zelenskyt, një ultimatum për t'iu përgjigjur planit 28-pikësh të SHBA-së për t'i dhënë fund luftës deri më 27 nëntor, Ditën e Falënderimeve.
"Ne mendojmë se është një ditë e mirë, është një kohë e mirë", tha presidenti i SHBA-së. Duke folur në radion Fox News, siç raportohet nga BBC, Trump u pyet në lidhje me propozimin 28-pikësh, për të cilin ai tha se SHBA-të janë pjesë e tij.
Lidhur me shqetësimet se Rusia mund të paraqesë në të ardhmen një kërcënim për shtetet baltike ose pjesë të tjera të Evropës, Trump tha se Moska nuk do ta bënte. "Ata nuk po kërkojnë më shumë luftë", vuri në dukje ai, "ata tashmë po ndëshkohen".
Në intervistën e tij, ai këmbënguli se Ukraina do të humbiste më shumë territor "në një periudhë të shkurtër kohore" nëse lufta vazhdon. Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky foli në telefon me Zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance të martën, duke u përqendruar në planin e SHBA-së për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Axios vëren se biseda ishte kontakti i nivelit më të lartë midis SHBA-së dhe Ukrainës në lidhje me planin e ri, pasi presidenti ukrainas nuk ka folur ende drejtpërdrejt me homologun e tij amerikan.
Zelensky i ka thënë administratës Trump se është gati të negociojë por Shtëpia e Bardhë po pret që plani të nënshkruhet deri në Ditën e Falënderimeve, të enjten e ardhshme, më 28 nëntor.
Kujtohet se plani me 28 pika e detyron Kievin, ndër të tjera, të lëshojë territor shtesë, të bjerë dakord se nuk do t'i bashkohet kurrë NATO-s dhe të pranojë një amnisti të plotë për rusët që dyshohet se kanë kryer krime lufte. SHBA-të, si dhe Evropa, ofrojnë garanci sigurie në formën e Nenit 5 të NATO-s, i cili do t'i detyronte aleatët e SHBA-së dhe Evropës të trajtojnë një sulm ndaj Ukrainës si një sulm ndaj të gjithë "komunitetit atlantik".
Më herët sot, presidenti ukrainas mbajti një video-konferencë me udhëheqësit e Gjermanisë, Francës dhe Britanisë për të diskutuar planin./dritare.net