Po krijohet internet tjetër? Norvegjia kundër prishjes me qëllim të shërbimeve digjitale
Dritare.net

Marrë nga The Guardian
Videoja më poshtë nis me një skenë ku një burrë fshihet poshtë krevatit dhe hap një vrimë në çorapen e dikujt. Pak sekonda më pas, i njëjti burrë merr një sharrë dhe shkurton këmbën e një tavoline, në mënyrë që ajo të lëkundet gjatë mëngjesit.
“Puna ime është të bëj gjërat më të këqija,” thotë ai. “Titulli im zyrtar është ‘shkatërrues’. Unë i marr gjërat që janë në rregull dhe i prish.”
Kjo video, e publikuar së fundmi nga Këshilli Norvegjez i Konsumatorëve, përdor humor absurd për të trajtuar një problem serioz. Ajo është pjesë e një fushate globale që synon të kundërshtojë përkeqësimin e vazhdueshëm të produkteve dhe shërbimeve digjitale.
“Ne donim të tregonim se në jetën e përditshme nuk do ta pranonit këtë,” tha Finn Lützow-Holm Myrstad, drejtori i politikave digjitale. “Por në botën digjitale kjo ndodh çdo ditë dhe ne besojmë se nuk duhet të jetë kështu.”
Termi “prishje me qëllimshëm” (enshittification), i krijuar nga shkrimtari Cory Doctorow, përshkruan procesin kur një produkt ose shërbim përkeqësohet me kalimin e kohës, sidomos në teknologji, informon dritare.net. Shembujt janë të shumtë: rrjetet sociale që mbushen gjithnjë e më shumë me reklama dhe mashtrime, përditësimet që i bëjnë telefonat më të ngadalshëm, apo chatbot-et që zëvendësojnë shërbimin real ndaj klientit.

Në fund të shkurtit, në një nismë që besohet të jetë e para e këtij lloji, këshilli norvegjez bashkëpunoi me mbi 70 organizata dhe individë në Evropë dhe SHBA, përfshirë sindikata dhe organizata për të drejtat e njeriut.
Ata u kërkuan politikëbërësve në 14 vende të marrin masa kundër këtij fenomeni, duke theksuar se nuk është diçka e pashmangshme, por pasojë e vendimeve politike.
“Një internet tjetër është i mundur,” tha Myrstad. “Gjendja aktuale nuk është e pranueshme.”
Në Norvegji, mbi 20 organizata kërkuan veprime konkrete nga autoritetet dhe kjo nismë u mbështet edhe nga vende të tjera. U dërguan letra institucioneve të Bashkimit Evropian dhe politikëbërësve në SHBA.
Këto letra kërkonin që konsumatorët të kenë më shumë kontroll mbi produktet që blejnë: t’i riparojnë, t’i përshtatin dhe t’i ndryshojnë sipas nevojës, si dhe të kenë mundësi të kalojnë më lehtë nga një shërbim në tjetrin.
Gjithashtu, u kërkua zbatim më i fortë i ligjeve që mbrojnë konsumatorët dhe të dhënat e tyre, si dhe më shumë konkurrencë në tregun digjital, për të kufizuar dominimin e kompanive të mëdha teknologjike.
“Nuk është vonë për ta ndryshuar situatën,” tha Myrstad. “Nëse ka konkurrencë reale dhe konsumatorët kanë zgjedhje, shërbimet nuk kanë pse të përkeqësohen.”
Fushata mbështetet edhe nga një raport i detajuar prej 80 faqesh, që shpjegon se si ky fenomen është bërë i zakonshëm.
Edhe pse këshilli ka një histori të gjatë përballjeje me kompanitë e mëdha teknologjike, Myrstad e krahasoi këtë betejë me atë të Davidit kundër Goliatit.
“Por në fund, Davidi fitoi,” tha ai. “Edhe këtu kemi nevojë për bashkim dhe zë të përbashkët: nuk duam që gjërat të vazhdojnë kështu.”
Ndërkohë, videoja ka marrë miliona shikime dhe mijëra komente në platforma të ndryshme, ndërsa raporti është shkarkuar mijëra herë.
“Nuk kemi parë kurrë një reagim të tillë,” tha ai. “Njerëzit e ndiejnë këtë problem dhe duan që diçka të ndryshojë.”/K.C/dritare.net