
Shpërthen kongresmenia republikane: Ky nuk është Trampi që mbështeta unë!
Dritare.net
Marjorie Taylor Greene është një nga figurat më të zëshme të Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara. Deputete në Kongresin Amerikan që nga viti 2021, përfaqësuese e shtetit të Xhorxhias, ajo është bërë e njohur për qëndrimet e saj konservatore ekstreme, mbështetjen pa kushte për ish-presidentin Donald Trump dhe kritikat e ashpra ndaj qeverisë federale dhe ndërhyrjeve të SHBA në konfliktet ndërkombëtare.
Pas bombardimeve të fundit që SHBA-ja ka kryer ndaj Iranit, Greene ka reaguar me një sërë postimesh të forta në rrjetin social X (ish-Twitter), duke e cilësuar ndërhyrjen ushtarake si një tradhti ndaj premtimeve të fushatës së Trump dhe lëvizjes MAGA (Make America Great Again).
“E ardhmja e brezave tanë duhet të jetë pa luftëra të huaja që sjellin sulme terroriste në tokën amerikane, rekrutime të detyruara në ushtri dhe rrezik për luftë bërthamore,” shkruan Greene.
Ajo shprehet se po lufton për të ardhmen e fëmijëve të saj, 22, 25 dhe 27 vjeç, që të kenë mundësinë të ndërtojnë një jetë normale, të blejnë një shtëpi, të sigurohen, të investojnë për pension dhe të rrisin një familje sipas vlerave të besimit të tyre.
Greene akuzon qarqet e quajtura “neocon” (neokonservatorët), lobet e industrisë ushtarake dhe mediat proluftës për nxitjen e konfliktit me Iranin. Ajo thotë se menjëherë pas bombardimeve, publikut iu tha se ishte një “sukses i plotë” dhe se kapacitetet bërthamore të Iranit ishin “zhdukur”. Por shumë shpejt, sipas saj, deklaratat zyrtare ndryshuan: u tha se objektivat ishin “dëmtuar pjesërisht” dhe se nuk dihet ku ndodhet uraniumi i pasuruar i Iranit.
“Më duket si një mashtrim i madh, për të kënaqur luftënxitësit dhe për të zhgënjyer votuesit që besuan në premtimin për paqe,” – shkruan ajo me ton të ashpër.
Greene kujton se ka shpenzuar miliona dollarë nga paratë e saj për të udhëtuar në të gjithë vendin dhe për të bërë fushatë për Trump, sepse ai premtoi:
• Mbarimin e luftërave të huaja
• Mospërfshirjen në ndryshim regjimesh
• Vendosjen e paqes në botë
Por sipas saj, vetëm gjashtë muaj pas fillimit të mandatit të ri, Amerika është rikthyer në të njëjtën rrugë: luftë të huaj, ndërhyrje politike dhe rrezik global.
“Kjo nuk është ajo për të cilën votuam. Kjo nuk është ajo që na u premtua.", përfundon Greene.
Zëri i Marjorie Taylor Greene është një reflektim i revoltës që vlon në një pjesë të elektoratit amerikan: të atyre që ndihen të mashtruar nga politika e jashtme, të zhgënjyer nga sistemi, dhe të frikësuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre./dritare.net

















