Na ndiqni edhe në

Bota

Si u arratisa 16-vjeç, me varkë nga Shkodra! Flet Elena Lekaj!

Si u arratisa 16-vjeç, me varkë nga Shkodra! Flet Elena Lekaj!

Në një rrëfim rrëqethës, Elena Lekaj kthehet pas në kohë, në një natë të errët të vitit 1988, kur jeta e saj dhe e familjes së saj ndryshoi përgjithmonë. Në moshën 16-vjeçare, ajo u përball me vendimin më të vështirë: arratisjen nga regjimi komunist, një akt që në atë kohë dënohej me vdekje. 'Po të vrisnin,' tregon ajo për emisionin Shqip nga Rudina hunga në Dritare TV, duke përshkruar frikën që e kishte kapluar kur mori vesh planin.

Plani, i orkestruar nga babai i saj, një peshkatar trim, ishte sa i guximshëm, aq edhe i rrezikshëm. Ai u kishte dhënë një udhëzim të ftohtë fëmijëve më të rritur:

"Në qoftë se do ndodhë gjë, ju do të hidheni në ujë dhe do të ikni, që të paktën ju të shpëtoni." Kjo ishte sakrifica supreme që një prind ishte gati të bënte. Për të siguruar arratisjen, babai i saj ishte detyruar të lidhte me litarë peshkimi dy ushtarë dhe një koleg të tij, për t'i penguar të lajmëronin autoritetet.

Gjatë lundrimit të tyre të rrezikshëm nëpër Liqenin e Shkodrës, të fshehur nën një plasmas të zi, me fëmijët e vegjël të vënë në gjumë me gjilpëra qetësuese, familja përjetoi momente terrori.

"Mendohesha se do na zënë, do na fusin në burg, do na vrasin," thotë Elena, zëri i së cilës ende dridhet nga kujtimi. Ankthi arriti kulmin kur ata u pikasën nga rojet kufitare shqiptare dhe u qëlluan me armë zjarri. Falë njohjes së thellë të liqenit nga i ati, ata arritën të fshiheshin në një ishull të vogël deri në agim, duke pritur me ankth fatin e tyre./L.F-dritare.net