
Triumfi i skuadrës perfekte: Si çdo kuqezi shkroi historinë në Leskovac!
Dritare.net
Përtej golit vendimtar, fitorja e Shqipërisë ishte një triumf kolektiv ku çdo lojtar luajti një rol thelbësor. Gazetarët Bledar Kuka dhe Tami Kona të ftuar në emisionin Dekalog nga Roland Qafoku nv Dritare TV bënë një analizë të thellë të performancave individuale, duke nxjerrë në pah pikat e forta dhe sfidat e secilit. Diskutimi u ndez rreth Armando Brojës, i cili, megjithëse nuk shënoi, u vlerësua për aftësinë e tij për të tërhequr dy mbrojtës kundërshtarë, duke hapur hapësira për të tjerët.
"Problemi i Brojës vjen si rezultat i dëmtimit të gjatë, por ai ka momentin," shpjegoi Kuka, duke theksuar se prania e tij në fushë është gjithmonë një rrezik për kundërshtarin.
U vlerësua lart edhe paraqitja e dyshes së mesfushës, Ylber Ramadani dhe Julian Shehu. Ramadani u cilësua si 'lojtari me më shumë kilometra në fushë në Serie A', ndërsa Shehu, i cili vjen nga kampionati polak, u përshkrua si 'shumë inteligjent, si kompjuter' për mënyrën se si lexon lojën.
Në mbrojtje, u theksua rëndësia e lojtarëve si Berat Gjimshiti, i cilësuar si 'lideri' i prapavijës, dhe Elseid Hysaj, i cili me 93 ndeshje ka barazuar rekordin e Lorik Canës. "Nëse Hysaj është me këmbë në tokë dhe luan thjeshtë, ai mund të jetë më i miri i Kombëtares," komentoi Kuka, duke theksuar se ky kombinim i përvojës, talentit dhe disiplinës taktike ishte çelësi i suksesit në Leskovac./L.F-dritare.net

















