Tensionet rriten: Negociatat SHBA–Iran përfundojnë pa rezultat
Dritare.net

Delegacionet e SHBA-së dhe Iranit nuk arritën të firmosin një marrëveshje pas bisedimeve të gjata për paqe në Islamabad, Pakistan.
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, u shpreh se pala iraniane refuzoi kushtet e propozuara nga Uashingtoni, duke theksuar: “ky është propozimi ynë përfundimtar dhe më i mirë”.
Nga ana tjetër, Ministria e Jashtme e Iranit akuzoi SHBA-në për “kërkesa të tepruara” dhe deklaroi se negociatat u zhvilluan në një klimë të mbushur me mosbesim, dyshime dhe tension.
Sipas analistëve, arritja e një marrëveshjeje ishte e vështirë që në fillim, ndërsa në Islamabad tashmë kanë nisur të hiqen shenjat që simbolizonin këto bisedime historike.
Pyetja kryesore mbetet: Çfarë pritet të ndodhë më tej?
Ndërkohë, tensionet në Lindjen e Mesme vazhdojnë. Ushtria izraelite njoftoi se ka goditur një raketëhedhës në Liban, ndërsa të dy vendet pritet të zhvillojnë bisedime në Uashington javën e ardhshme.