Na ndiqni edhe në

Ngjarjet e Ditës

Para Samitit të Diasporës në Tiranë, emigranti për Dritare TV: Ja kërkesa që kemi!

Para Samitit të Diasporës në Tiranë, emigranti për

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se më 13 prill do të zhvillohet në Tirana Samiti i Diasporës, një ngjarje e rëndësishme që do të mbledhë shqiptarë nga e gjithë bota.

Sipas tij, ky samit do të fokusohet te historitë e suksesit, përkushtimit dhe arritjeve të shqiptarëve jashtë vendit, duke e cilësuar diasporën si një forcë konkrete zhvillimi dhe krenarie për kombin shqiptar. Rama theksoi gjithashtu se ky është samiti i parë pas përfshirjes historike të diasporës në proceset zgjedhore në Shqipëri.

Ndërkohë, në Athinë, në ambientet e Ambasadës së Shqipërisë, u zhvillua një takim i veçantë me gazetaren Rudina Xhunga, drejtuese e “Dritare TV”, dhe shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë në Greqi, ku ndanë shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

Gjatë këtij takimi, pjesëmarrësit vlerësuan rolin e medias dhe veçanërisht të “Dritare TV”, duke theksuar se për herë të parë një televizion në Shqipëri u ka dhënë hapësirë dhe zë real shqiptarëve të diasporës.

Në këtë kuadër, ata i kërkuan publikisht gazetares që ky zë të vazhdojë të forcohet dhe të përcillet më tej, duke ngritur një çështje thelbësore: rikthimin e Ministrisë së Diasporës në Shqipëri.

Sipas tyre, mungesa e një institucioni të dedikuar ka krijuar një boshllëk të madh në përfaqësimin dhe adresimin e problemeve të shqiptarëve jashtë vendit. Ata theksuan se vetëm në Greqi jetojnë rreth 700–800 mijë shqiptarë, ndërsa në të gjithë botën diaspora shqiptare numëron mbi 1.5 milionë.

Një nga pjesëmarrësit u shpreh se diaspora nuk duhet parë vetëm si një burim financiar, por si një partner strategjik për zhvillimin e vendit, duke sjellë eksperiencë, kulturë dhe standarde të reja.

Ai nënvizoi se pas viteve ’90, diaspora ka luajtur një rol kyç në mbështetjen e ekonomisë shqiptare dhe në afrimin e vendit me praktikat perëndimore, por sipas tij, ky kontribut nuk është reflektuar mjaftueshëm në nivel institucional.

“Është shumë e rëndësishme që ana institucionale të ekzistojë, sepse shqiptarët jashtë vendit kanë nevojë për një strukturë që i përfaqëson dhe i lidh drejtpërdrejt me shtetin shqiptar,” u shpreh ai.

Samiti i Diasporës pritet të sjellë në vëmendje pikërisht këto çështje, ndërsa mbetet për t’u parë nëse kërkesa për rikthimin e Ministrisë së Diasporës do të marrë një përgjigje konkrete nga institucionet shqiptare.