Trump reagon pas sulmit në Venezuelë: Janë kapur Maduro dhe gruaja e tij
Dritare.net

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer sulme ushtarake brenda Venezuelës, ndërsa shpërthime të fuqishme janë raportuar në kryeqytetin Karakas dhe zonat përreth, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike dhe panik mes qytetarëve. Qeveria e Venezuelës e ka dënuar këtë si “agresion ushtarak” dhe ka shpallur gjendjen e emergjencës në të gjithë vendin.
Sipas burimeve zyrtare amerikane, sulmet kanë prekur Fortesën “Tuna”, një nga bazat kryesore ushtarake që strehon Ministrinë e Mbrojtjes dhe Akademinë Ushtarake të Venezuelës. Shpërthimet filluan rreth orës 01:50 me orën lokale, dhe disa ishin aq të fuqishme sa dridhën dritaret e ndërtesave përreth.
Në një postim të fundit në Truth Social, Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se presidenti venezuelian Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij janë “kapur dhe nxjerrë jashtë vendit”, duke shtuar se operacioni u krye në bashkëpunim me forcat amerikane të rendit. Ai gjithashtu njoftoi se një konferencë për shtyp do të mbahet sot në orën 11:00 në Mar‑a‑Lago, ku do të jepen më shumë detaje mbi operacionin.
Trump shkruante:
"Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm të gjerë ndaj Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, Presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe nxjerrë jashtë vendit. Ky operacion u krye në bashkëpunim me forcat e rendit të SHBA-së. Detaje do të pasojnë. Sot do të mbahet një konferencë për shtyp në Mar-a-Lago. Faleminderit për vëmendjen tuaj."/K.C/dritare.net