Zyrtari amerikan konfirmon sulmet në Karakas, Maduro shpall gjendjen e jashtëzakonshme
Dritare.net

Një zyrtar amerikan ka konfirmuar se Shtetet e Bashkuara kanë kryer sulme ushtarake në Venezuelë, ndërsa Presidenti venezuelian Nicolás Maduro ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme në të gjithë vendin, pas shpërthimeve të fuqishme të regjistruara gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës në kryeqytetin Karakas.
Zyrtari amerikan, i cili foli për agjencinë Reuters në kushte anonimiteti, konfirmoi se bëhet fjalë për një operacion ushtarak të SHBA-së në territorin venezuelian, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi objektivat apo shkallën e sulmeve.

Sipas raportimeve nga terreni, sirena alarmi ajror dhe shpërthime të forta janë dëgjuar rreth orës 01:50 me orën lokale në Karakas, duke shkaktuar panik mes banorëve. Në reagimin e tij të parë publik, Presidenti Maduro njoftoi shpalljen e gjendjes së emergjencës, duke e cilësuar situatën si një kërcënim serioz ndaj sigurisë kombëtare dhe sovranitetit të Venezuelës.
Burime mediatike bëjnë me dije se një nga objektivat e goditura është Fortesa “Tuna”, në pjesën jugore të kryeqytetit, kompleksi më i madh ushtarak i vendit. Ky objekt strategjik strehon institucione kyçe si Ministrinë e Mbrojtjes dhe Akademinë Ushtarake të Venezuelës. Si pasojë e bombardimeve, energji elektrike në zonë është ndërprerë, ndërsa ekipet e emergjencës janë vënë në lëvizje.
Një korrespondent i CNN që ndodhej në Karakas raportoi se një nga shpërthimet ishte aq i fuqishëm sa i dridheshin dritaret e banesës, duke theksuar intensitetin e sulmeve.
Deri në këto momente, nuk ka ende informacion zyrtar për viktima apo dëme të plota materiale, ndërsa autoritetet venezueliane kanë vendosur forcat e sigurisë në gjendje gatishmërie të lartë. Situata mbetet e tensionuar dhe pritet që zhvillimet e radhës të kenë ndikim të gjerë në arenën ndërkombëtare, në një moment tashmë delikat të marrëdhënieve mes Uashingtonit dhe Karakasit./K.C/dritare.net