Deputetët demokratë dalin kundër Berishës për bojkotin e seancave plenare! Ja mesazhet!
Dritare.net

Vendimmarrja e Sali Berishës për të bojkotuar seancat e fundit plenare, para se deputetët të shkojnë me pushime, është kundërshtuar ashpër nga disa prej ligjvënësve demokratë. Në media janë shpërndarë mesazhet mes deputetëve në një grup WhatsApp-i, ku Jorida Tabaku, Ina Zhupa dhe Bujar Leskaj kanë shprehur hapur pakënaqësinë për bojkotin duke e konsideruar një lëvizje të gabuar. Mesazhet mes tyre janë shkëmbyer mbrëmjen e së dielës, para bojkotit në seancën plenare të së hënës.
Tabaku i thotë grupit parlamentar se PD i di shumë mirë pasoja e bojkotit dhe mos marrja pjesë në seanca iu heq të vetmen platformë debati.
“Jorida Tabaku: Përshëndetje kolegë. Ne çdo rast unë mendoj që mospjesëmarrja na heq ne te vetmen platformë publike që ne kemi për debat! E kemi provuar shumë herë mos shkuarjen dhe i dimë pasojat! Ne duhet të përdorim çdo hapësirë që kemi për përballje! Nesër është një nga ditët ku raporton një sërë institucionesh dhe ka hapësirë për të gjitha temat që janë beteja të opozitës!”, shkruan Tabaku.
Ndërsa Leskaj, një tjetër zë që i ka dalë kundër Berishës edhe për bojkotin e territoriales si edhe dha dorëheqjen si drejtues politik i qarkut të Vlorës pas humbjes së thellë në zgjedhjet e 2021-shit, shkruan se opozita duhet të jetë në sallë për t’iu dhënë zë edhe protestuesve.
"Per mendimin tim kjo eshte gabim. Sipas kesaj vendimarrjeje, Ne nuk do të flasim per KQZ (votimet e manipuluara ne diaspore -2025), ILD (mbrojtesja e korrupsionit ne gjyqesor ), AMF, BQ, INSTAT, si edhe per kryefjalën mbështetjen e protestës qytetare ?!? Cili eshte kuptimi, ideja, mesazhi ?. Gjithsesi klm", shkruan Leskaj.
Ndërsa Zhupa u kujtoi kolegëve se seanca plenare e 13 korrikut ishte e rëndësishme pasi do të diskutoheshin projektrezolutat për disa institucione të pavarura, si edhe çështjet e zgjedhësve.
"Në mbledhjen e kaluar të gjithë që diskutuam ishim kundër mos shkuarjes në seancë, po atë ditë vajti edhe vonë dhe s’kishte zgjidhje tjetër për atë seancë. Me idenë e ligjeve tona që nuk futen (si këto 13 vjet) nuk shkon se nesër s’ka ligje fare rendi i ditës. Është seancë për çështje të zgjedhësve dhe rezoluta për institucionet siç thotë Bujari me rëndësi për denoncime dhe qëndrime. Kështu i bie në shtator në seancë dhe s’di ca të mire na sjell si opozitë parlamentare!!! Edhe në dijeninë time janë edhe dy komisionet që ju mbaron afati, zgjedhore dhe territoriale që edhe nëse zgjaten dhe nëse mbyllen do jetë vendimmarrje e seancës plenare. Gjithsesi si ta gjykohet më e mira për opozitarizmin", thotë Zhupa.
Lëvizja u kritikua edhe nga ish-deputeti demokrat Ervin Salianji, i cili thotë se Berisha paktin e tij me kryeministrin Edi Rama.
“Kundër bojkotit kanë qenë deputetët e grupit parlamentar, të cilët kanë kërkuar përballje politike me Edi Ramën në Kuvend. Megjithatë, Sali Berisha nuk i lejon të marrin pjesë, duke u fshehur pas justifikimit të frikës nga protestuesit dhe vezët, ndërsa në të vërtetë po mbron marrëveshjen e tij me Edi Ramën”, shkruan Salianji.